LAJMI I FUNDIT:

Bashkim Ziberi: Njeriu duhet të jep kontributin aty ku mendon se më së shumti mund t’i kontribuojë gjeneratës në të cilën jeton

Bashkim Ziberi: Njeriu duhet të jep kontributin aty ku mendon se më së shumti mund t’i kontribuojë gjeneratës në të cilën jeton

Bashkim Ziberi, është një shkencëtarë i njohur cili pas sukseseve të një pas njëshme në Maqedoni, u bë pjesë e një grupi shkencëtarësh në Fakultetin e Mjekësisë së Harvardit, në një studim për luftën kundër sëmundjes së kancerit. Për rrugëtimin e tij të suksesshëm në karrierë dhe për eksperiencën në ShBA rrëfehet vetë profesor Bashkim Ziberi  në intervistë për Telegrafi Maqedoni

Intervistoi: Valon Osmani

Jeni një emër i njohur tashmë në fushën e shkencave natyrore, konkretisht në fizikë. Na tregoni si erdhi ideja të merreni me studimin e shkencave natyrore?
Që i vogël kam pasur prirje në shkencat natyrore e veçanërisht në matematikë, e cila është kusht për të qenë i suksesshëm në fizikë. Fenomenet dhe ligjësitë natyrore çdoherë kanë qenë pikë tërheqëse për mua, megjithatë shtytjen fillestare profesionale e kam marrë gjatë studimeve në fizikën 5 vjeçare në Tiranën e viteve 90, tek profesorët e nderuar si Rexhep Mejdani, Osman Kraja, Fatos Klosi, Ilia Prifti, Zenun Mulaj e shumë të tjerë, të cilët do t’i kujtoj gjithë jetën.


Në fillimet e tua të karrierës ke punuar asistent në Universitetin e Tetovës, pastaj një periudhë vazhdove studimet master dhe të doktoraturës larg nga Tetova. Na tregoni më tepër rreth këtyre dy etapave dhe eksperiencat nga studimet pasdiplomike?
Ashtu si shumë te rinj tjerë edhe për mua ka qenë e vetëkuptueshme dëshira për të dhënë mësim në UT. Sidoqoftë ishte një fazë kalimtare meqë veç isha pranuar për studime master në Universitet të Lajpcigut në Gjermani të cilat i kam filluar në Mars të vitit 1999. Pa diskutim që ka qenë një periudhë me plot sfida dhe të panjohura, duke qenë pa bursë ose ndonjë përkrahje tjetër materiale, në një ambient të panjohur duke mos ditur as edhe një fjalë gjermane, meqë studimet do ti ndiqja në gjuhën Angleze, në një vend të ish-Bllokut lindor ku më shumë dinin rusisht se anglisht. Por, dëshira e madhe për tu arsimuar, vullneti për punë dhe gjithsesi jeta plot sfida dhe peripeci më bënin që të mos njoh dorëzim dhe kthim prapa. Me mbarimin e studimeve master falë arritjeve profesionale mu dha mundësia të kyçem në projekte shkencore dhe atë në një projekt të financuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës. Pjesën më të madhe të karrierës shkencore e kam ndërtuar në Institutin për modifikime sipërfaqësore (IOM) ku kam kryer edhe pjesën eksperimentale të Doktoratës, e që formalisht e kam mbrojtur në Fakultetin e Fizikës të Universitetit të Lajpcigut, në vitin 2006. Nga viti 2007 deri në kthimin tim në UT në korrik të 2010, kam punuar si udhëheqës shkencor në Institutin në fjalë. Puna shkencore dhe sukseset e arritura më kanë mundësuar të kem mbi 30 punime me impakt faktor dhe mbi 100 kontribute shkencore në konferenca, në vende të ndryshme të botës si dhe të fitoj përvojë në aplikime dhe menaxhime me projekte. Kur mendoj sot për mundësitë dhe kushtet që kanë studentët tanë për aftësime dhe thellime profesionale, me të vërtetë u jam xheloz por në të njëjtën kohë edhe shumë kritik për mos shfrytëzimin e tyre.Unë ju them studentëve të mi, “kush dëshiron të vazhdojë studimet jashtë ju nxjerrë unë pa harxhime materiale, mjafton të mësoni, të dini gjuhën angleze dhe të aplikoni në institucionet përkatëse”.

Kohëve të fundit jeni pjesëtarë i një ekipi shkencëtarësh për një studim lidhur me sëmundjen e kancerit në Fakultetin e Mjekësisë së Harvardit, na rrëfeni për këtë sukses?
Sot është një kusht i pashkruar që për të qenë shkencëtar i suksesshëm duhet të krijoni përvoja të ndryshme shkencore në ambiente dhe sisteme të ndryshme pune.E përsëris në vazhdimësi se shkencëtarët sot janë nomadë modern. Në këtë frymë kam shfrytëzuar programin më prestigjioz të Qeverisë Amerikane Fullbright, për të qëndruar në Fakultetin e Mjekësisë së Harvardit me të cilin kam pasur lidhje të mëhershme që nga mesi i viteve 2000. Duhet kuptuar se shkenca sot është shumë interdisciplinare dhe si e tillë i ndërthurë disiplinat shkencore me qëllimin që të kemi rezultate më të mira. Unë ju bashkëngjita grupit të Dr. Ngwa, i cili në mënyrë të ngjashme si unë nga një fëmijë i një fshati të Kamerunit, pa bursë në studimet pasuniversitare arriti në Harvard. Nuk diskutohet se duke punuar në një institucion të tillë dhe me një grup shumë inkluziv, heterogjen si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë profesional, komunikimi ndër akademik, me kompani të ndryshme, me shtëpi botuese, pra thjesht duke vepruar siç thonë Bostonasit në zemrën e shkencës në Botë, njeriu fiton përvoja që e pasurojnë në shumë drejtime, mbart eksperienca dhe mbresa që të shoqërojnë të gjithë jetën. Këtu dua të shfrytëzoj rastin dhe të falënderoj Departamentin e Shtetit dhe Ambasadën e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut për mbështetjen financiare dhe mundësinë e dhënë që të njohim nga së afërmi dhe të punojmë në institucione të tilla si Universiteti i Harvardit.

Si po ecën puna në këtë studim, cilat janë hapat konkret që janë ndërmarrë në luftën kundër kancerit?
Në departament jam marrë me studime paraklinike, tek minjtë, të kancerit të prostatës dhe pankreasit duke kombinuar terapinë e rrezatimit dhe imunoterapinë. Më konkretisht kemi shfrytëzuar nanogrimcat e arit dhe dukurinë fizike të Fotoefektit, për të gjeneruar një rrezatim X intensiv në zonën tumorale, si pasojë duke iniciuar një sërë procesesh dhe një ushtri antigjenesh, të cilat duke njohur tanimë llojin e qelizave kancerogjene, i sulmojnë ato në të gjithë trupin, pra edhe metastazat. Duke shfrytëzuar biopolimerët kjo ngarkesë së bashku me imunoterapeutikët mund të dërgohet në mënyrë të targetuar (drejtuar) dhe të përqendruar në zonën tumorale. Dua të theksoj se ndikimi i produkteve të kanabisit në sëmundjet kancerogjene ka zgjuar shumë interesin e qarqeve shkencore në botë dhe shumë studime po kryhen në këtë drejtim dhe departamenti ku kam qenë ka një rol udhëheqës në hulumtime të tilla.

Ju gjithmonë diturinë që keni përfituar nga universitetet botërore keni ardhur dhe e keni shpërndarë me studentët e Universitetit të Tetovës, kur pritet të riktheheni përsëri në vendin tuaj, apo tashmë karrierën e keni zhvendosur në ShBA?
Unë mendoj se njeriu duhet të jep kontributin aty ku mendon se më së shumti mund t’i kontribuojë gjeneratës në të cilën jeton. Që sot në Harvard më ofrojnë kontratë afatgjate, por në asnjë vend të botës kontributi dhe përvoja e fituar në institucionet ndërkombëtare nuk mund të jepet më mirë se në vendin e vet. Besoj se edhe prindërit që kanë dhënë aq shumë për arsimimin tim nuk do të ma kishin falur asnjëherë lënien e vendlindjes me kushtet dhe arritjet profesionale. Unë çdoherë kam vepruar, veproj dhe do të veproj në vendlindje, edhe kur lëvizi jashtë dal me idenë që përvojat dhe kontaktet e fituara ti shfrytëzoj në vend. Studentët dhe rinia e jonë mund të inspirohen më së miri me shembuj konkret nga përvoja dhe përjetimet personale, për shfrytëzimin e mundësive të shumta për mobilitet dhe aftësime profesionale. Sot studentët e shkencave të natyrës në UT shfrytëzojnë më së shumti programet e mobilitetit, në këto momente dy studente të Fizikës kanë regjistruar studimet master në 100 universitetet më të mira të botës. Unë aktualisht jam kthyer në UT por vazhdoj të jem bashkëpunëtor i jashtëm në Dana-Farber Cancer Institute, gjegjësisht në Harvard Global Health Catalyst. Shpresoj që studentët tanë ta shfrytëzojnë këtë urë lidhëse për aftësim profesional dhe studime të mëtejme në institucione si Harvardi.

Një mesazh për të gjithë ata nxënës që duan në të ardhmen të jenë shkencëtarë dhe të kontribuojnë në të mirë të njerëzimit?
I bëj apel rinisë që të zgjedhin profesionet që më së shumti kanë prirje, të mësojnë në vazhdimësi, të kenë vullnet më të madh për punë, të jenë më insistues në të drejtat e tyre, por edhe më të vetëdijshëm për obligimet dhe përgjegjësitë që kanë. Duhet të jenë vazhdimisht në kërkim të gjërave të reja të panjohura, të shfrytëzojnë mundësitë e shumta që ekzistojnë sot për aftësim dhe thellim profesional. Mos lejojnë që gjithë jetën të bëhen pjesë e mijëra punonjësve shkencor në ndonjë nga laboratorët e botës, “të akomodohen dhe rehatohen në çerdhet e ngushta shoqërore atje”, por të bëjnë gjithçka që është e mundshme që dijen dhe njohuritë e fituara ti japin në vendlindje. Jeta është një luftë e vazhdueshme deri në frymën e fundit, e le ta japim atë frymë të fundit për vendin dhe në vendin e vetë.

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Drejtësi
Kalo në kategori