Bardhi me porosi para Uellsit: Të luftojmë dhe të shijojmë momentin!

Nesër mbrëma, me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Cardiff City”, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut e mbyll këtë cikël kualifikues për Botërorin 2026 me ndeshjen kundër Uellsit. Llogaritë janë të qarta: me barazim ose fitore përfundon në vend të dytë në grup, ndërsa me humbje do të jetë e treta, njofton Telegrafi.
Këto janë llogaritje matematikorë, edhe pse disa teori optimiste vazhdojnë të thonë se ekziston një shans minimal për vendin e parë.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme, Maqedonia e ka të sigurt pjesëmarrjen në play-off-in e muajit mars.
Në prag të këtij dueli, Uellsi ka shitur të gjitha biletat për këtë ndeshje vendimtare të grupit në kualifikimet drejt Botërorit.
Kapiteni Enis Bardhi foli për mediat, i cili u shfaq i vendosur, i qartë dhe me vetëbesim, duke theksuar se ekipi do të hyjë në fushë për të dhënë maksimumin, por edhe për ta shijuar ndeshjen.
“Të gjithë e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe mund të fitojmë shumë. Por para se gjithash duhet të shijojmë momentin dhe të japim maksimumin. Kemi kohë të gjatë pa humbje dhe nesër duhet të japim më shumë se zakonisht. Shpesh harrojmë të kënaqemi në lojë. Ndonjëherë nga stresi dhe presioni nuk arrijmë ta shijojmë momentin. Dua që të hyjmë të lirshëm, me mendje të qetë, dhe secili nga ne të jetë krenar dhe të luftojë në fushë. Kur them të shijojmë ndeshjen, mendoj të luftojmë, të vrapojmë dhe të lëmë zemrën në fushë. Ndonjëherë luan aq sa të lejon kundërshtari. Belgjika është një nga skuadrat më të mira në Evropë dhe aty duhej të mbroheshim. Besoj se Uellsi nuk luan në stilin e Belgjikës, por ka futbollistë agresivë dhe do të ushtrojë presion të lartë. Ndoshta nesër nuk do të kemi shumë tifozë tanë, por pas nesh qëndron i gjithë kombi, me mbështetje të madhe. Uroj që në fund të gëzohemi për një rezultat pozitiv”, tha kapiteni Bardhi.
Mbrojtësi qendror Visar Musliu nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi, dhe për këtë arsye nuk udhëtoi në Kardif. Lëndimi i tij është më serioz dhe koha për rikuperim nuk ka qenë e mjaftueshme. Kështu, trajneri Milevski do të duhet të gjejë një zgjidhje tjetër në qendër të mbrojtjes.
Ndeshja e nesërme do të luhet nga ora 20:45, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri holandez Danny Makkelie. /Telegrafi/




















































