Barcelona fillon kërkimin për një lojtar të ri pas kërkesës së Flick

Barcelona ka arritur të çlirojë një hapësirë të konsiderueshme në faturën e pagave gjatë 48 orëve të fundit, falë Marc-Andre Ter Stegen dhe Inigo Martinez.
Portieri gjerman ka nënshkruar dokumentacionin mjekësor që i lejon klubit të regjistrojë Joan Garcia në vend të tij, ndërsa mbrojtësi veteran është duke u larguar për t’u bashkuar me klubin arab Al-Nassr.
Këto dy lëvizje do t’i mundësojnë Barcelonës të regjistrojë shumicën e lojtarëve që ende presin zyrtarizimin në La Liga. Me pritshmërinë për largime të tjera gjatë javëve në vijim, hapet gjithashtu dera për përforcimin e katërt gjatë këtij afati kalimtar veror, pas afrimeve të Joan Garcia, Roony Bardghji dhe Marcus Rashford.
Trajneri Hansi Flick e mirëpret një përforcim të ri dhe e ka komunikuar këtë kërkesë te drejtori sportiv Deco.
Sipas Sport, Deco ka nisur tashmë kërkimet për një tjetër transferim të mundshëm.
Flick është i vetëdijshëm se një tjetër transferim mund të mos jetë i realizueshëm për shkak të vështirësive financiare të klubit, por ai i ka kërkuar Decos të jetë i përgatitur në rast se shfaqet një mundësi reale.
Konkretisht, trajneri dëshiron një qendërmbrojtës të ri që mund të luajë gjithashtu edhe si mbrojtës i krahut.
Në fillim të verës, kishte raportime se Flick kishte kërkuar një mbrojtës krahu, por u bë e qartë se kjo nuk ishte prioritet, pasi Deco vendosi të përqendrohej në transferimin e një portieri (Garcia) dhe një sulmuesi të majtë (Rashford).
Megjithatë, me hapësirën që është krijuar së fundmi në limitet financiare të klubit, ekziston një mundësi që kjo kërkesë të realizohet./Telegrafi/
















































