LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Velezhës të braktisur nga organet komunale të Prizrenit

Fshati Velezhë gjendet larg prej rrugës magjistrale Prizren – Therandë, në kilometrin e gjashtë, nga perëndimi diku rreth 4 km. Për të arritur gjer në fshatin Velezhë, rruga kalon nëpërmes fshatit Shpenadi ku isha ta vizitoj një mikun timin Vitor Spaçin, i cili banon në këtë fshat. Nën administrimin e zyrës civile të Velezhës janë: Shpinadija, Novaka, Caparci, Smaci, Serbica e Eperme, Serbica e Poshtme dhe Trepetica. Velezha është e banuar tërësisht me shqiptarë (të besimit të Krishterë) me afro 900 banorë, ku prej tyre më së 60% jetojnë në shtetet e perëndimit. Momentalisht jetojnë rreth 400 banorë, e po ashtu thuhet se edhe fshatrat tjera kanë një numër të madh të popullatës në emigrim.

Në rajonin e Prizrenit është punuar dhe po punohet po sikur ka një neglizhencë të ndërtimit dhe investimit në Bashkësinë lokale të Velezhës. Ne fshatrat Shpenadi, Velezhë, Serbicë, Trepeticë, Smac që gravitojnë në këtë Bashkësi lokale, sikur është harruar dhe braktisur nga organet komunale të Prizrenit. Infrastruktura e këtyre fshatrave ka mbetur nen mëshirën e kohës dhe natyrës thekson z. Vitor Spaçi. Ai jep sinjale dëshpëruese duke thënë se “kur vijmë të pushojmë në atdhe, dimrit jemi të mbytur nga balta, kurse verës të mbytur nga era dhe ujërat e zeza”.


Më tutje e plotëson vëllai tjetër, Vilson Spaçi, duke rrëfyer se rruga e cilat i lidhë me shtat fshatrat tjera, është rrugë që i përngjanë një rruge të një vendi ma të varfër. “Prandaj jemi të zhgënjyer nga kjo klasë politike lokale e Prizrenit, por edhe në shkallë shteti!. Banorët e këtyre fshatrave disa herë kemi bërë kërkesa, ankesa dhe protesta në KK të Prizrenit, me qëllim që të merren në konsideratë, këto halle tona, por i kanë shti veshtë në të shurdhër?”.

“Kemi mbetur ne mëshirën e thuajse të askujt”, shprehen disa qytetarë të tjerë: Gjergj Marku, Gjoni, Nikolla, Mariani, Genci etj.

Pastaj spontaniteti i vizitës tonë sikur e nxiti revoltën e atyre qytetarëve të fshatit Shpinadi, ku isha si mysafir i rastit. U grumbulluan edhe më tepër njerëz nga kureshtja, se për çfarë qëllimi ishim shkuar. E morën vesh se ishte vizitë spontane, por pakënaqësia e tyre dhe revolta spontane më inspiroi të shkruaj një reportazh për këtë rajon. Ata edhe më me ngulm, një zëri, donin të jepnin dëshmi edhe më tepër, duke e zgjatur dorën në drejtimin e një kanalizimi që ishte mbetur i pa kryer qe një kohë të gjatë. Ata njerëz të nervozuar u shprehen se njerëzit e korruptuar i hapën këto kanale sa për t’i mbuluar investimet dhe hajnitë e veta duke i varrosur nën tokë pa kurrfarë funksioni!?

Ujësjellësi, me kanalizimet veç sa e kanë shkatërruan me tepër gjendjen dhe infrastrukturën. “Është për tu çuditur kur kryetari i komunës dhe stafi i tij është shumë mirë i informuar, nga ne qofshin ata të fshatrave që jetojnë këtu, qofshin mërgimtarëve që vijmë në pushime”, shpreheshin këta banorë një zëri të brengosur.

“Për ta dëshmuar këtë realitet të hidhur e kemi sjellë edhe një ekip të RTK-së, dhe bëri xhirimet, ku u dëshmua korrupsionin dhe keqpërdorimi i këtyre mjeteve nga njerëz të korruptuar. Ne këto treva nuk mund të gjesh gjërat ma elementare për jetën e njeriut. Shkollat i takojnë shekullit te 19-të dhe nuk i plotësojnë kushtet aspak dhe nevojat për nxënësit tanë, të cilët e vijojnë mësimin”, shprehej një burrë i moshuar me mustaqe dhe flokë të thinjura, i respektuar nga bashkëfshataret tjerë.

Zhurmën dhe revoltën e të tjerëve qe ishin afruar aty, sikur e krijoj një qetësi rrëfimi i këtij burrit: “S’ka rrugë të asfaltuar, shtyllat e rrjetit elektrik janë jashtë normave ligjore, të thyera, të kalbura, ambulantë e cila figuron aty nuk i plotëson kushtet minimale për këtë zonë periferike të qytetit të Prizrenit…”.

“Treva jone ka dhëne kontributet gjatë periudhave të ndryshme gjithëkombëtar shqiptar, ku këtij ideali dhe për këtë ideal dha jetën edhe dëshmori i kësaj ane, Pal Paluca. Nuk jemi kursyer asnjëherë ne të Diasporës Shqiptare që jetojmë atje me investimet tona. Tani nëse nuk ndërmerret diçka sa ma shpejt, ne e kemi në plan ta bëjmë një kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës dhe njerëzve tjerë kompetentë për anashkalimin e kësaj treve”, thotë miku im Vitor Spaçi, i mbështetur për këtë veprim nga bashkatdhetarët e vet.

Pra qeveria, apo qeveritë qe vijnë e shkojnë me premtimet e tyre, marrin votat e qytetarit, por i harrojnë shumë shpejt premtimet e dhëna, duke i harruar hallet e qytetarëve. Pas një vështrimi kritikë të kësaj treve është mirë qe vërtet të ndërgjegjësohen njerëzit kompetent të Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe ta evitojnë këtë të keqe me qellim që të mos lihet ndonjë hapësirë dyshimi në ndonjë ndikim me prapavijë politike regjional apo fetare. U ndamë nga këta njerëz bujarë, mikpritës, por me halle, me shpresë se së shpejti Kuvendi Komunal i Prizrenit do t’ua plotësojë kërkesat e tyre të arsyeshme për të bërë një jetë sadopak normale.