LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Karaçevës të braktisur nga institucionet kosovare, “vizitorë” vetëm xhandarmeria serbe

Banorët e Karaçevës të braktisur nga institucionet kosovare, “vizitorë” vetëm xhandarmeria serbe

Edhe 20 vjet pas luftës, Kosova po vazhdon të ketë problem me territor. Madje, në brezin kufitar, shumë shpesh shihen edhe xhandarmeria serbe. KFOR-i tashmë ka vendosur tabelat për shënimin e kufirit të përkohshëm të Kosovës, në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Kjo po shihet me shqetësim nga banorët e kësaj ane, të cilët dita ditës kanë filluar të zhvendosen nga ky fshat.

Që nga përfundimi i luftës, banorët e kësaj zone disa herë kanë alarmuar për futjen e xhandarmerisë serbe në territorin e Komunës së Kamenicës.

Asnjëherë nuk është ndier më i pasigurtë në vendin e vet. 83 vjeçari Ismajl Kastriti thotë se që nga paslufta jetesa në këtë vend është bërë e vështirë.


“Këta janë të lirë sa i përket prej anës tonë kosovare. Ata janë të lirë që të ecin mund të vinë deri në fshat prej policisë tonë. Unë nuk e shoh kurrë policinë tonë duke e ruajtur kufirin, qëndrojnë atje ku janë tabllat, aty rrinë Policia e Kosovës… Një mësues ka dal në pension ka dalur për këpurdha me mbledh edhe e kanë marrë e kanë qu në Bujanovc. A e kanë dënuar a jo, nuk e di. Mirëpo, populli është i interesuar, ruhet, nuk guxon me u afru atje, qobanët kur i dërgojnë kafshët atje shkojnë pak me frikë, kqyrin një herë mos po kalon ‘Vojna Policija’”, thotë ai.

Sipas Kastratit, 20 vjet pas luftës, Serbia po tenton të frikësojë popullatën shqiptare. Ai madje në lidhje me këtë pjesë ka edhe një porosi për institucionet e Kosovës.

“Qeveritarëve tanë kisha dashur t’iu bëjë një apel, deri tash Qeveria jonë nuk ka marrë masa sa i përket kësaj zone që e ka uzurpuar Serbia me marrëveshjen e Kumanovës, asnjëri nuk e ka ngritur zërin një herë një deputet në Kuvend të Kosovës, për këtë çështje, a ne popullata se di sa herë kemi dalur në protesta për këto tablla, kohën e fundit ka qenë KFOR-i edhe kryetari i komunës ka qenë, që të ndërrohen ato tablla. Neve nuk kemi pranu që ato tablla ku shkruan 500 metra, 1000 metra, tash e ka ndërruar e ka sjellur në zero. Neve nuk na kanë pyetur kohën e fundit hiç”, tregon ai.

Tabela të ngjashme të vendosura në hyrje të Karaçevës, ishin larguar në të kaluarën nga banorët dhe nuk ka pasur të tilla që nga viti 2010. Këto tabela tashmë janë zhvendosur brenda fshatit për 200 metra, gjë që po shihet me shqetësim nga banori më i zëshëm i kësaj ane, Selver Lenjani.

“Vendosja e këtyre tabelave për ka 200 metra kanë ikur në tërësi poshtë, janë lëshuar, mirëpo nuk e kanë vendin këtu ku po intervistohemi, nga kjo është 1,000 metra kufiri Kosovë-Serbi, sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake e Kumanovës e 9 qershorit. Nuk e ka vendin as kjo tabelë, të gjithë qytetarët e Karaçevës, banorët që e kanë kundërshtuar fuqishëm sepse është tokë e jona, është tokë valide që kemi me ngastra kadastrale me kufijtë administrative, është territori i jonë. Megjithatë po jemi të pafuqishëm për të marrë këto vendime për të mbrojtur këtë pjesë të territorit të Kosovës”, thotë Lenjani.

Nga aty shihet edhe një pikë e Policisë së Serbisë, për të cilën banorët e kësaj ane po shprehën të shqetësuar.

Pavarësisht deklarimeve të KFOR-it se nuk ka përgjegjësi në çështjet që lidhen me kufijtë e Kosovës, ai vazhdon të mbikëqyrë vijën kufitare me Serbinë në fshatin Karaçevë.

Derisa, që nga viti 2014, Policia e ka të ndaluar nga KFOR-i edhe shfrytëzimin e rrugës “By Pass”, e cila e mundëson qarkullimin në fshatrat e kësaj zone.

Selver Lenjani thotë se për këtë i ka lajmëruar të gjitha institucionet, megjithatë shprehet se ky fshat nuk po u intereson atyre.

“Nuk ka institucion që nuk është informuar, as komuna e as regjioni e as qeveria, nuk ka institucion, mirëpo megjithatë nuk kanë guxuar ose nuk ju ka interesuar, apo nuk kanë dashur, sepse ne banorët e brezit kufitar nuk kemi njerëz në Qeveri, nuk kemi njerëz në institucione për të ngritur këtë çështje, e kemi ngritur si bashkësi lokale, si qytetarë të rëndomtë, mirëpo askush nuk dëgjon”, shton Lenjani.

E derisa Kosova e Serbia të pajtohen se kujt i takojnë 600 metra rrugë, 170 pronarëve qysh në fillim të vitit 2001 kur ka filluar ky mospajtim, u rrezikohen pronat e tyre.

“Në brezin kufitar rrezikohen 170 pronarë tokat e tyre që i kanë me ngastra kadastrale, që janë pronë e komunës së Kamenicës, pronë e territorit të Kosovës. 170 pronarë janë me emër e mbiemër, me vendbanim, që humbin tokat e tyre. Mirëpo, megjithatë kjo është një marrëveshje tekniko-ushtarake e Kumanovës, e 9 qershorit që është falsifikuar nga faktori serb i është servuar ky dokumentacion kadastral, hartat gjeografike, gjeodezike për faktorin faktorin ndërkombëtar, për të cilën banorët e brezit kufitar janë dëmtuar shumë, sepse është problem shumë i madh se është territor i joni”, shton Lenjani.

Lenjani thotë se ekipi negociator për bisedimet me Serbinë, duhet të ketë parasysh këtë brez kufitar, derisa potencon se ky zonë po copëtohet. Ai thekson se si pasojë e neglizhencës së kësaj pjese nga institucionet banorët po shpërngulen nga këtu.

Se neglizhenca e institucioneve është shqetësimi kryesor i banorëve e thotë edhe administratori i fshatit Karaçevë, Armend Kastrati.

“Shqetësimi më i madh është neglizhenca e institucioneve se këta i bëjnë këto lojërat politike që po na lënë edhe neve si pengë edhe për banorët, por edhe me na vizitu”, tha ai.

Ai thotë se kanë pasur protesta të shumta si banorë të këtij vendi, por edhe takim me kryetarin e Kamenicës, derisa shpreh besimin se institucionet duhet të bëjnë zgjidhje.

Ndërsa, banorit Fadil Lenjani po mendon shtijen e pronave që ka dhe zhvendosjen nga këtu.

“Nuk ka qëndrim për neve këtu, është frikë, dëm i madh është për neve. Me shku kjo sipërfaqe e tokës…I kanë vendos këto të KFOR-it këtu, dihet që ka diçka, ajo po e jep një shenjë që nuk është e jona… Ndoshta nuk rri, me gjasë shumë shpejt do të largohem nga këtu”, thotë Lenjani.

Në lidhje me këtë KosovaPress ka pritur një përgjigje për disa javë nga Ministria e Punëve të Brendshme, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Kosova ende nuk ka bërë shënjimin e vijës kufitare me Serbinë. E ky proces ka qenë mjaft kontradiktor me dy shtete të tjera, Maqedoninë e Malin e Zi së fundmi.

KosovaPress ka arritur të sigurojë edhe dokumentacionet të cilat dëshmojnë këtë fakt, e në tërësi ky vend ka 3200 banorë në të dy territoret e Karaçevës./kp/Telegrafi/