Banorët e Debreshit protestuan për mungesën e ujit, Komuna premton zgjidhje brenda një muaji


Disa banorë të fshatit Debresh protestuan sot para Komunës së Gostivarit, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për problemin me furnizimin me ujë.
Gjatë protestës, tensionet janë rritur dhe një pjesë e protestuesve kanë dëmtuar xhamat e Komunës së Gostivarit.
Në vendngjarje kanë intervenuar forcat policore për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve.
Protestuesit kërkuan që problematika e kahmotshme me furmizimin me ujë të zgjidhet, pasi sipas tyre zgjidhja e këtij problemi ka qenë premtim nga çdo udhëheqësi komunale.
Për këtë rast u sqaruan dhe nga Komuna e Gostivarit. Në një njoftim për media, ata thonë se po punohet që fshati Debresh të ketë furnizim të rregullt me ujë dhe se për një muaj përfundon dhe ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit për këtë fshat.
"Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje për vështirësitë në furnizimin me ujë në një pjesë të fshatit Debresh, problem ky që vazhdon për dekada. Gjatë këtij viti, banorët dhe përfaqësuesit e shoqatave lokale kanë zhvilluar tre takime me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe me ekspertët e Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit. Në këtë drejtim, kanë filluar punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, e cila do të mundësojë rritje të ndjeshme të kapacitetit të ujit të pijshëm. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit edhe për banorët e fshatit Debresh, i cili pritet të përfundojë për një muaj. Pas përfundimit të punimeve, pritet të sigurohet një furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm. Njëkohësisht, është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, një ndërhyrje e rëndësishme që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë.Komuna e Gostivarit ka dëshmuar më shumë se kurrë më parë, vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Për këtë arsye, i ftojmë banorët për mirëkuptim dhe durim gjatë periudhës së realizimit të punimeve, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje", thuhet në reagimin e Komunës.
K



































