Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar opinionin publik lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, pasi është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus.

Sipas njoftimit, thuhet e AUV përmes Komisionit Evropian – Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, si dhe është kërkuar tërheqja e këtij produkti nga tregu.


Agjencia ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës.

AUV gjithashtu thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt, i shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.

Konsumatorët që posedojnë produktin APTAMIL me lot nr. 111444865 rekomandohen ta kthejnë në pikën e blerjes ose të mos e përdorin deri në një njoftim të mëtejshëm. /Telegrafi/