Deputetja e LDK-së,  Hykmete Bajrami i është përgjigjur kritikave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me mosratifikimin e marrëveshjes prej 90 milionë euro nga Banka Botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami e akuzon Muratin dhe partitë e tij si bllokues të procesit politik dhe për keqmenaxhim të fondeve ndërkombëtare.


“Hekuran mos dezinformo. Bllokuesit jeni ju. Me 48 deputetë, e keni ngujuar vetën dhe vendin politikisht rreth një kandidateje për kryetare të Kuvendit, për të cilën nuk i keni votat,” shkruan Bajrami, duke mohuar përgjegjësinë e opozitës.

Ajo gjithashtu e akuzon qeverinë për “qeverisje arrogante dhe destruktive” që sipas saj ka penguar shfrytëzimin e granteve të Bashkimit Evropian.

“Qindra miliona euro grante nga BE-ja nuk janë shfrytëzuar prej dy vitesh, pikërisht për shkak të masave ndëshkuese që kanë ardhur si pasojë e qeverisjes suaj”, ka shkruar Bajrami.

Duke përmendur situatën në KEK, ajo shton: “A i ke parë sot tymtarët e KEK-ut çfarë po nxjerrin? Pse nuk flet për grantin e BE-së rreth 70 milionë euro për investime në KEK, kryesisht për filtrat, mjete që nuk erdhën për shkak të masave ndëshkuese të BE-së”.

Bajrami shprehet se qeveria ka shkatërruar këtë vend , duke e kritikuar për përpjekjet për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e vazhdueshme në katër vitet e fundit. /Telegrafi/