Azemi: Nuk u zbatua paga minimale për punëtorët teknikë në QKMF Klinë

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka njoftuar se punëtorët teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë nuk janë paguar në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.
FSPTSPK-ja, thekson se vendimi i kryeministrit i marrë më 31 tetor 2025 parasheh që paga minimale nga 1 janari 2026 të jetë jo më e ulët se 425 euro, ndërsa nga korriku i vitit 2026 të rritet në 500 euro.
Megjithatë, sindikata bën të ditur se punëtorët teknikë në QKMF të Klinës kanë marrë vetëm 350 euro pagë, çka sipas tyre përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit qeveritar dhe të të drejtave të punëtorëve.
Federata ka paralajmëruar se do të njoftojë Inspektoratin e Punës, ndërsa nuk përjashtohet as ndjekja e rrugëve ligjore, përfshirë adresimin e çështjes në Gjykatë.
“Këta punëtorë sot morën 350 euro pagë, pra në kundërshtim me vendimin e kryeministrit të Kosovës. Për këto shkelje, Sindikata do të njoftojë Inspektorin e Punës dhe nëse ka nevojë edhe Gjykatën”, thuhet në komunikatë.















































