AUV njofton tërheqjen e formulave për foshnje Aptamil dhe Bebelac nga tregu në Kosovë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar opinionin publik për tërheqjen nga tregu të formulave për foshnje Aptamil Pronutra 1, Pronutra 2 dhe Bebelac 1, pas pranisë së substancës toksike cereulide në produktet e importuara nga Polonia.
Në një komunikatë për media, AUV thekson se rreziku është konsideruar serioz.
“Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit Aptamil, formulë ushqimore për foshnje, prodhuar nga Nutricia Zakłady Produkcyjne Sp. z o.o., Poloni, dhe i importuar në Kosovë nga UNION SH.P.K., Vushtrri", thuhet në njoftim.
Produktet e prekura ishin në treg para vendimit të datës 11.02.2026 për ndalimin e përkohshëm të importit të Aptamil në vend.
“Ju lutemi mos i përdorni produktet Aptamil Pronutra 1, Aptamil Pronutra 2 dhe Bebelac 1 me datat e skadimit të specifikuara, por t’i ktheni ato në pikën e shitjes”, u bën thirrje Agjencia konsumatorëve,
AUV njofton gjithashtu se do të vazhdojë monitorimin e tregut dhe zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim sigurimin e ushqimit të sigurt dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/



















































