AUV: Lija e deleve dhe dhive konfirmohet në katër ferma

Sëmundja lia e dhenve dhe dhive është konfirmuar në katër ferma, njoftuan nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV).
Ata bëjnë të ditur se për herë të parë sëmundja është evidentuar para një muaji në një fermë në fshatin Llopatë të Kumanovës, kur Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Shkup konfirmoi praninë e virusit të lisë tek delet dhe dhitë.
Deri më tani, sëmundja është konfirmuar në katër ferma. Në vatrën e parë primare janë therur dhe asgjësuar në mënyrë të sigurt 65 dele. Në dy vatrat e tjera janë asgjësuar gjithsej 61 dele.
Agjencia ka ndërmarrë masa për parandalimin e përhapjes dhe vendosjen nën kontroll të sëmundjes, duke përcaktuar:
Zonë mbrojtëse prej 3 kilometrash
Zonë nën mbikëqyrje prej 10 kilometrash
Janë ndaluar lëvizjet e deleve dhe dhive në këto zona, po kryhet regjistrimi i të gjitha fermave dhe kontroll klinik i kafshëve, ndërsa në rast dyshimi merren mostra për testim laboratorik. Në fermat ku është konfirmuar sëmundja janë urdhëruar masa për pastrim, dezinfektim dhe trajtim të ambienteve, mjeteve dhe pajisjeve.
Po ashtu po zhvillohet hetim epidemiologjik për të përcaktuar burimin e mundshëm dhe mënyrën e përhapjes së sëmundjes. Është forcuar kontrolli i masave të biosigurisë në fermat brenda zonave të përcaktuara.
Për të parandaluar përhapjen:
Ndalohet funksionimi i tregjeve të bagëtive për dele dhe dhi në gjithë vendin.
Ndalohet organizimi i panaireve, ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera me këto kafshë.
Sëmundja është e pranishme edhe në Greqi, Bullgari dhe Serbi.
Autoritetet theksojnë se sëmundja nuk është zoonozë, pra nuk transmetohet dhe nuk është e rrezikshme për njerëzit, por mund të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike.
Qumështi i papërpunuar dhe produktet e tij nga zonat nën mbikëqyrje (10 km) mund të dalin në treg vetëm pas trajtimit termik/pasterizimit në 72°C për 15 minuta.
Jashtë zonave restriktive, qumështi dhe produktet mund të përdoren normalisht.
Ndalohet lëvizja e deleve dhe dhive nga zonat e kufizuara për therje, përveç nëse kryhet në thertore të miratuar brenda zonës dhe pasi kafshët të kontrollohen klinikisht. Veterineri zyrtar duhet të marrë mostra për testim nga çdo kafshë e dyshimtë.
Edhe therja për nevoja shtëpiake në këto zona duhet të raportohet te shoqëria veterinare përkatëse, e cila kryen kontrollin klinik dhe njofton veterinerin zyrtar të Agjencisë.



















































