Autobusi bie nga ura në një lumë në Torino të Italisë, gjen vdekjen shoferi – momenti i aksidentit

Një aksident ka ndodhur të mërkurën në qendër të Torinos, kur një autobus turistik doli nga ura e Piazza Vittorio Veneto dhe ra në lumin Po.
Si pasojë, raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka gjetur vdekjen shoferi 63-vjeçar.
Autoritetet kanë konfirmuar se në autobus, për fat të mirë, nuk kishte pasagjerë në momentin e incidentit.
Dëshmitarët okularë raportuan se kishin parë autobusin gri të çante barrierat e urës dhe të binte në ujërat e cekëta të lumit poshtë.
Shërbimet e urgjencës, përfshirë zjarrfikësit, njësitë e shpëtimit të lumit dhe policinë, mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash.
Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë, drejtuesi i mjetit u konstatua i vdekur në vendngjarje.
Nga raportimet e para dyshohet se ai ishte i vetëm në automjet dhe mund të ketë humbur kontrollin e autobusit teksa manovronte përgjatë urës. /Telegrafi/




















































