Ata që konsumojnë shpesh kërpudha janë më pak të prirë ndaj depresionit

Nëse do të konsumonit çdo ditë kërpudha do të kishit një nivel më të ulët të stresit. Ky është rezultati i një studimi, i cili tregon se kërpudhat përmbajnë substanca që kanë veti antidepresive.
Një grup studiuesish nga Kolegji Mjekësor i Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë publikuan edhe disa studime të tjera mbi përfitimet e mundshme shëndetësore që vijnë nga konsumimi i kërpudhave.
E para, konsumimi i tyre lufton kancerin. E dyta, tregon se ngrënia e kërpudhave ndihmon njerëzit të jetojnë më gjatë. E treta, ata që konsumojnë shpesh kërpudha janë më pak të prirë ndaj depresionit.

Ky studim është bazuar në të dhënat e 24.699 pjesëmarrësve që plotësuan pyetësorët. Ata që përfshinin kërpudhat në meny, ishin vetëm 5.2 për qind e të anketuarve.
Sipas sasisë që konsumonin, studiuesit arritën t’i ndanin në tre grupe, transmeton Top Channel.
Reduktimi i rrezikut nga depresioni u vu re tek ata persona që konsumonin një sasi prej 4.9 gram në ditë. Studiuesit mendojnë se kërpudhat përmbajnë aminoacidin ‘ergothionein’, i cili është një agjent anti-inflamator. Prania e niveleve të larta të tij, mund të zvogëlojë rrezikun e stresit oksidativ dhe në këtë mënyrë të ndikojë në uljen e shkallës së depresionit.
Kërpudhat mbajnë edhe antioksidues. Studiuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ato të kenë edhe disa veti antidepresive. Ato përmbajnë edhe kalium, i cili sipas disa studimeve lidhet me uljen e ankthit.
Ndërkaq, duhet pasur parasysh se studimi nuk ka përcaktuar saktësisht llojin e kërpudhave të konsumuara nga njerëzit. Përveç kësaj, vihet re se një sasi e madhe në menynë ditore nuk tregon domosdoshmërisht një zvogëlim të depresionit. Prandaj, është e këshillueshme që të moderoni sasinë e konsumuar të tyre.


















































