"As me Rubion e as me Shën Pjetrin”, deklarata shpërfillëse e Vuçiqit për njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar me ironi dhe tone përçmuese ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke deklaruar se nuk do të bisedonte për Kosovën “as me Rubion e as me Shën Pjetrin”.
Deklarata u bë gjatë një qëndrimi në Astana, ku Vuçiq u pyet nga gazetarët për pretendimet e ish-diplomatit serb Nebojsha Vujoviq, lidhur me një dokument të supozuar amerikan për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Vujoviq kishte pohuar se gjatë një vizite në Washington, ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, i ishte paraqitur një dokument nga Rubio, që sipas tij lidhej me njohjen e Kosovës.
Vuçiq i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke minimizuar edhe takimin mes Gjuriqit dhe Rubios, të cilin e cilësoi si “krejt rastësor”.
Ai përdori gjuhë ironike dhe fyese ndaj Vujoviqit, duke theksuar se nuk ka asnjë gatishmëri për diskutime mbi Kosovën me askënd.
“Nuk më shkon ndër mend të pranoj çfarëdo lloj njohjeje të Kosovës. Nuk jam unë Nebojsha Vujoviq që do ta shisja çdo pjesë të territorit. Nuk më shkon në mendje që, jo me Marko Rubion, por as me Shën Pjetrin të bisedoj për Kosovën. Kosova është Serbi, ka qenë dhe do të jetë, dhe këtu përfundon”, tha Vuçiq.
Nga ana tjetër, Vujoviq deklaroi për agjencinë serbe të lajmeve Beta se presidenti serb, sipas tij, është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës vetëm për të qëndruar në pushtet dhe për të shmangur sanksione të mundshme amerikane për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe shkelje të sundimit të ligjit.
Sipas Vujoviqit, njohja e Kosovës nga Serbia do të kishte rëndësi të veçantë për presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa Vuçiq, shtoi ai, do të fitonte kohë për të zgjatur qëndrimin e tij në pushtet./Thegeopost.












































