Në mars, presidenti rus Vladimir Putin i dhuroi Donald Trumpit një portret misterioz të presidentit të SHBA.

Piktura u dorëzua nga i dërguari i Trump, Steve Witkoff, i cili, në një intervistë me drejtuesin e podkastit Tucker Carlson, e përshkroi atë si "një portret të bukur" nga një "artist rus".


Trump, shtoi ai, ishte “qartësisht i prekur nga kjo”. Por portreti nuk u zbulua publikisht, transmeton Telegrafi.

Tani, artisti që qëndron pas veprës artistike të porositur nga Kremlini, i ka dhënë CNN një vështrim ekskluziv në atë që ai thotë se është portreti.

Piktura, që tregon Trump duke ngritur grushtin në skenë pas atentatit të dështuar në mitingun e tij në Butler, Pensilvani në korrik 2024, është vepër e Nikas Safronov, një prej artistëve më të famshëm të Rusisë.

"Ishte e rëndësishme për mua të tregoja gjakun, plagën dhe trimërinë e tij gjatë përpjekjes për ta vrarë. Ai nuk u shkatërrua apo u frikësua, por ngriti krahun për të treguar se është një me Amerikën dhe do të sjellë atë që meriton", tha artisti për CNN në Moskë.

Safronov nuk është i panjohur për portretet e liderëve botërorë, pasi ka pikturuar dhjetëra figura globale, duke përfshirë Papa Françeskun e ndjerë dhe presidentin e Indisë, Narendra Modi.

Për portretin e tij të Trump, tha Safronov, "u vizitua nga disa njerëz që thanë se duan që unë ta pikturoj Trumpin ashtu siç e shoh".

Ai nuk e dinte fillimisht se cilët ishin “vizitorët” e tij, shtoi ai, duke shpjeguar se si një artist i shquar, “ka klientë që nuk hyjnë në detaje” – por ai dyshoi se ishte Kremlini.

"Kur fillova portretin, kuptova se kjo mund t'i afronte vendet tona dhe vendosa të mos kërkojë para sepse dyshoja se për çfarë ishte kjo pikturë", tha artisti.

Megjithatë, më vonë, thotë ai, u kontaktua nga vetë Putin, i cili i tha atij se portreti i Trump ishte një hap i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve të Rusisë me Shtetet e Bashkuara.

Portreti që Safronov tregoi CNN dhe thotë se i ishte dhuruar Trumpit nga Putini është i ngjashëm me një pikturë që tani varet në Grand Foyer të Shtëpisë së Bardhë, pasi një portret zyrtar i ish-presidentit Barack Obama u zhvendos nga vendi. /Telegrafi/