Mikel Arteta ka konfirmuar se është telefonuar nga përforcimi më i ri i Arsenalit, Eberechi Eze, në një moment kur lojtari ishte shumë pranë nënshkrimit me Tottenhamin. 

Arteta u pyet për këtë telefonatë pas fitores mbresëlënëse 5-0 të Arsenalit ndaj Leeds United të shtunën në mbrëmje, ku Eze u prezantua zyrtarisht përpara tifozëve, pas konfirmimit të transferimit nga Crystal Palace për 67.5 milionë euro. 


Sipas The Athletic, Eze e kishte telefonuar trajnerin e Arsenalit si një përpjekje të fundit për të mësuar nëse një kalim te “Topçinjtë” ishte ende i mundur.  

Po të mos merrte një përgjigje pozitive, do të kishte qenë sot lojtar i Tottenhamit. Por pas një rikthimi të shpejtë në tryezën e bisedimeve nga ana e Arsenalit, pjesërisht për shkak të një lëndimi të Kai Havertz, marrëveshja u mbyll brenda 24 orëve, duke u bërë një nga lëvizjet më të mëdha të afatit kalimtar. 

“Kjo të tregon sa shumë dëshironte të vinte. Ndonjëherë është ndryshe, sepse do të jesh i hapur dhe transparent me lojtarët, ata duhet të marrin vendime për karrierën e tyre, por unë jam i lumtur që e kemi”.  

“Mund ta ndjej sa shumë do të thotë për të dhe për të gjithë familjen e tij”, ka thënë Arteta. 

Eze pritet të debutojë për Arsenalin më 31 gusht në ‘Anfield’, në një përballje të ashpër ndaj Liverpoolit, në një nga ndeshjet më të mëdha të fillimit të sezonit të ri të Ligës Premier./Telegrafi/

telegrafi sport app