Arsimi mundi Sileksin në baltën e Kratovës

Skuadra e Arsimit mori fitore të jashtëzakonshme si mysafire ndaj Sileksit me rezultat 1-3 (0-1), në ndeshjen e javës së 15-të të Ligës së Parë të Futbollit. Ky sukses vjen menjëherë pas tre pikëve të mëdha të fituara ndaj Shkëndijës (3:0), duke e bërë këtë periudhë një nga më të mirat për ekipin nga Çegrani, njofton Telegrafi.
Takimi nisi me 20 minuta vonesë për shkak të terrenit tepër të lagësht, i cili e vështirësonte lojën dhe e ndalte shpesh topin në bar. Të dy skuadrat patën vështirësi në pasime, megjithatë u zhvillua një lojë interesante dhe me raste të shumta.
Sileksi krijoi më shumë nga loja dhe rrezikoi me Dodevin, Aliqin dhe Govedaricën, i cili humbi rastin më të mirë për skuadrën vendase në pjesën e parë. Arsimi zakonisht u tërhoq në gjysmën e vet dhe u orientua në kundërsulme, por pa krijuar raste të pastra deri në minutat e fundit.
Megjithëse pjesa e parë ishte më shumë në kontroll të Sileksit, në minutën e 44-të ishte Arsimi ai që goditi. Mirnel Huriq përfitoi nga një top i krosuar dhe nga vetëm dy metra e dërgoi në rrjetë, duke i dhënë mysafirëve një epërsi të papritur dhe shumë të vlefshme para pushimit.
Arsimi e nisi më mirë edhe pjesën e dytë dhe kishte një mundësi të artë me Taipin, i cili nuk arriti të shënojë. Sileksi u mundua vazhdimisht të depërtojë në zonë, por terreni i rëndë ua vështirësonte çdo tentim.
Në momentin kur vendasit shtuan presionin dhe Govedarica humbi një tjetër rast para portës, erdhi ndëshkimi. Në minutën e 61-të, Ajdini që sapo ishte futur në lojë, shënoi për 0-2 dhe i dha Arsimit një epërsi të madhe. Ky gol ndikoi dukshëm te vendasit, të cilët megjithë dominimin, mbetën pas në rezultat.
Sileksi u rikthye në lojë në minutën e 76-të me golin e Martin Mirçevskit, që përfitoi nga një top i kthyer nga traversa.
Megjithatë, reagimi i Arsimit ishte i menjëhershëm. Vetëm pak minuta më vonë, Alban Taipi shënoi me një goditje të fuqishme për 1-3, duke e vulosur fitoren dhe rikthyer epërsinë e dy golave. Tani Arsimi ka 21 pikë, vetëm një më pak se Bashkimi në pozitën e pestë.
Sileksi mbetet me 28 pikë dhe në javën e ardhshme përballet me Rabotniçkin. Ndërsa Arsimi do të luajë para tifozëve të vet kundër Pelisterit të Manastirit. /Telegrafi/




















































