Arrestohet një pjesëtar i PK-së

Zyrtari policor është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “marrja e ryshfetit” dhe “Shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit”, për shkak se me datën 20.12.2011, rreth orës 18:00, ka marr nga një qytetar të holla në vlerë prej 20 euro.
Ai është arrestuar në ora 20:00 nga Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë së Prishtinës, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Zyrtari policor, derisa ishte duke rregulluar komunikacionin në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, saktësisht në udhëkryqin përball PTK-së, e ka ndalur qytetarin në fjalë, i cili ishte duke drejtuar veturën e tij.
Polici i ka konfiskuar dokumentet e automjetit, me ç’rast nuk i ka shqiptuar tiketë për kundërvajtje, por nga qytetari ka kërkuar që t’i jap të holla në vlerë prej 20 euro, si kundërvlere për mosshqiptim të tiketës. /Telegrafi/





















































