Arrestohet një person, dyshohet për vjedhje në dy lokale në veri të Mitrovicës

Është arrestuar një person në vendin e punës i cili dyshohet për vjedhje në dy lokale në veri të Mitrovicës.
Në polici janë raportuar dy raste të vjedhjeve më 2 dhe 3 maj, ndërsa më 4 maj është arrestuar i dyshuari me iniciale M.M., 31 vjeç në fshatin Zabërgj të Mitrovicës, shkruan Telegrafi.
Më 2 maj, rreth orës 23:30, ankuesi ka raportuar se dera e lokalit të tij në rrugën “Kral Petri” është dëmtuar dhe nga brenda lokalit i janë vjedhur rreth 550 euro dhe një shumë e dinarëve.
Ndërsa më 3 maj, rreth orës 06:00, ankuesi ka raportuar se i është thyer dera e lokalit të tij në rrugën Car Lazar, dhe nga aty i janë vjedhur një telefon celular dhe kartëmonedha të përziera (euro dhe dinarë), në vlerë prej 60 euro.
“Njësitë policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore dhe si rezultat, kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar M.M., 31 vjeç, për kryerjen e këtyre veprave penale. I njëjti është lokalizuar dhe arrestuar në vendin e tij të punës më 04.05.2025, në fshatin Zabergj, Mitrovicë Jug i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe gjatë intervistimit e ka pranuar se i ka kryer vjedhjet në rastet e sipër cekura”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/

















































