Arrestohet një i ri në Gjonaj të Prizrenit për gjuajtje me armë zjarri, sekuestrohet pistoleta

Policia e Kosovës ka arrestuar një të ri në fshatin Gjonaj të Prizrenit, i dyshuar për gjuajtje me armë zjarri nga automjeti, ndërsa arma e përdorur është sekuestruar.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 29 janar 2026, rreth orës 12:15, kur autoritetet kanë pranuar informata se në afërsi të një shkolle në fshatin Gjonaj janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një automjet i tipit VW Golf.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka identifikuar automjetin e dyshuar, duke i dhënë sinjal për ndalim, por drejtuesi i mjetit nuk ka respektuar urdhrin dhe është larguar me shpejtësi. Pas kësaj, policia ka ndërmarrë ndjekje, me përfshirjen edhe të patrullave tjera.
Policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk është hasur aty. Më pas, i dyshuari është ndaluar, ndërsa arma një pistoletë me pesë fishekë, të cilën dyshohet se e kishte hedhur në tokë, është gjetur dhe sekuestruar.
I dyshuari, H.B., 21 vjeç, është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Ndaj tij kanë nisur hetimet dhe pritet të ngritet kallëzim penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për të vepruar me vendosmëri kundër çdo akti të paligjshëm dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/




















































