Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP), përmes njësitit të saj FAST, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitë tjera relevante policore, ka identifikuar dhe arrestuar një person të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se të hënën (19.01.2026), rreth orës 20:30, zyrtarët policorë të DBNP-së – ekipi FAST, kanë lokalizuar dhe arrestuar personin, i cili ishte i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.


Tutje thuhet se pas arrestimit dhe në bazë të urdhrit të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe në zbatimin e ligjit, me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike. /Telegrafi/