Armëpushimi Iran-Izrael 'tani në fuqi', thotë Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit është "tani në fuqi".
"JU LUTEM MOS E SHKELNI", shton ai në një postim në Truth Social, përcjell Telegrafi.
Siç e kemi përmendur, media shtetërore iraniane ka raportuar se armëpushimi ka filluar.
Kujtojmë se para pak orësh, Trump njoftoi se është arritur një armëpushim “i plotë” midis Izraelit dhe Iranit.
Trump thotë se armëpushimi pritet të fillojë në orët në vijim pasi të dy vendet “të përfundojnë misionet e tyre përfundimtare në zhvillim e sipër!”.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se sapo të përfundojë, kjo do të shënojë një “fund zyrtar” të luftës 12-ditore.
Presidenti i 47-të i SHBA-së vuri në dukje se secila palë duhet të mbetet “paqësore dhe respektuese” gjatë fazës së armëpushimit të njëra-tjetrës, duke theksuar se gjithçka duhet të funksionojë pa probleme.
“... Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ZOTI E BEKOFTE BOTËN!”, kishte shkruar Trump. /Telegrafi/











































