LAJMI I FUNDIT:

Anulimi i vendimit për pronat në Badovc, prishja e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë dhe deklaratat – gjithçka nga seanca e kuvendit komunal

Anulimi i vendimit për pronat në Badovc, prishja e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë dhe deklaratat – gjithçka nga seanca e kuvendit komunal

Të enjten është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Prishtinës ku u anulua vendimi për këmbimin e pronave në Badovc, ndërsa pas vendimit për anulim është prishur koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet.

Kjo seancë u përshkrua me akuza e kundër-akuza, gjersa për rastin e këmbimit të pronave ka folur edhe vet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e asamblistë.

Kjo seancë është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të anuluar vendimin e datës 21 dhjetor 2023 për këmbim të pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me prona në lagjen ‘Prishtina e Re’.


Rama për këmbimin e pronave, thotë se ministritë morën vendime për shkak të spekulimeve në media

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të kryeqytetit theksoi se vendimi për këmbimin e pronave ka rrjedh nga një proces i cili ka filluar nga qeverisja e kaluar.

“Për më tepër, ky proces ka rrjedh nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, pra Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal. Nga momenti që qeverisja jonë ka vazhduar këtë proces, janë ndjek të gjitha procedurat e parapara ligjore. Pra, për këtë çështje, janë dërguar pikat e rendit të ditës me kohë, përfshi këtë pikë për këmbim”, ka deklaruar Rama.

Mirëpo sipas tij, ndonëse një vendim i tillë është diskutuar dhe miratuar në Kuvend, nuk ka pasur reagime kundër nga asnjë parti politike.

“Nuk ka reaguar askush. Vendimi është miratuar në këtë Kuvend. Nuk ka reaguar askush. Kanë kaluar disa javë. Asnjë fjalë nuk e kanë thënë nga PDK e as LVV. Pas një shkrimi të pavërtetë dhe tendencioz, ju e politizuat këtë çështje”.

I pari i Prishtinës tutje ka thënë se për shkak të spekulimeve në media, Ministria e Financave dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal e kanë marrë suspenduar këtë vendim.

“Si pasojë e shkrimeve spekulative, të njëjtit zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal që kanë miratuar ligjshmërinë të njëjtit po e tërheqin atë. Pa asnjë argument apo fakt shtesë. Nuk janë një apo dy zyrtarë, por janë pesë që kanë nënshkruar ligjshmërinë e këtij vendimi, përfshirë edhe ministrin e MAPL-së. Dhe tani të njëjtit e kanë tërhequr ligjshmërinë e tij, përfshirë këtu edhe ministrin”.

Ministria e Financave thotë se pas informatave nga mediat po e suspendojmë vlerësimin e pronave, do të thotë as fakte nga prokuroria e as fakte nga policia. Një proces që ministria është e obliguar ta zbatojë thotë po e suspendoj në bazë të spekulimeve në media”, ka deklaruar Rama.

Ai mes tjerash ka dhënë disa sqarime shtesë në lidhje me vendimin për këmbimin e pronave, pasi sipas tij janë thënë shumë të pavërteta për këtë proces.

“Është raportu se: Kryeqyteti i ka dhanë 20 hektarë për 8 hektarë. Nuk është e vërtetë. Vendimi i Asamblesë së Kryeqytetit e thotë qartë se prona 8 hektarëshe këmbehet me pjesë të parcelës 20 hektarëshe, e përsëris me pjesë të parcelës, jo me krejt parcelën. Sa tokë do të këmbehet, 10 ari, 50 ari, 2 hektarë apo 5 hektarë, nuk e përcakton kryeqyteti e as Përparim Rama, por e përcakton Ministria e Financave”.

“Është thënë se Përparim Rama dhe qeverisja aktuale e kanë nisë këtë proces. Prapë e pavërtetë.  Janë ngrit pyetje se çfarë interesi ka Kryeqyteti me marrë një tokë te Liqeni, cili është interesi publik i Kryeqytetit me marrë atë tokë? Përparim Rama, nuk ka deklaru atë tokë me interes publik, por Ministria e Mjedisit me një vendim të vitit 2020 i cili përcakton tokat rreth Liqenit të mbrojtura dhe obligon organet komunale me bo këmbim. Kuvendi Komunal në vitin 2021 ka konfirmu vendimin e Ministrisë së Mjedisit rreth interesit publik të asaj toke. Jo unë”.

Asamblisti Sveçla: Vendimi për këmbimin e pronave, i dëmshëm për pasurinë publike të qytetarëve të Prishtinës

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka thënë se vendimi për këmbimin e pronave është i dëmshëm për pasurinë publike të qytetarëve të kryeqytetit.

Ai tutje ka deklaruar se kjo çështje nuk do të bëhej mediatike pa kundërshtimet që janë shprehur në Kuvend në mbledhjen e datës 21 dhjetor në emër të grupit të LVV-së.

“Ligjet në fuqi që kanë të bëjnë me këmbimin e pronës janë shumë të qarta. Në këtë rast, si shumë të tjera, është evidente se është vepruar në kundërshtim me normat si dhe dispozitat ligjore. Nuk bëhet dhe nuk duhet të bëhet këmbim pa e pasur fillimisht vlerësimin financiar nga organi kompetent, në këtë rast nga departamenti përkatës i Ministrisë së Financave”.

“Nuk duhet të bëhet pa definim të qartë dhe të saktë të sipërfaqes e cila këmbehet. Nuk duhet të bëhet pa e definuar dhe arsyetuar interesin publik. Nuk bëhet këmbimi për parcela që fillimisht kanë qenë pjesë e këmbimit të vitit 2021. Nuk bëhet këmbimi duke i vënë në lajthitje asamblistët e duke i mashtruar”, ka thënë asamblisti.

Retkoceri nga PDK: Ditë e bukur për kryeqytetin

Shefi i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri ka thënë para asamblistëve dhe pas largimit nga salla të asamblistëve të LDK-së, se e enjtja ishte një ditë e bukur për kryeqytetin dhe kjo seancë e jashtëzakonshme i bashkoi në thirrjen e cila është thirrje kundër këmbimit të pronave në Badovc, vendim ky që ishte marrë me 21 dhjetor 2023.

“Ky vendim nuk ka arsyetuar interesin publik. Ne ishim dhe jemi kundër ndërtimeve në Badovc, dhe nuk mendoj që komuna ju ka borxh pronarëve të pronave private t’ju ndërroj tokat pa arsyetuar interesin publik. PDK ka qëndrim konsistent qysh në vitin 2020 kemi iniciuar seancë ku kemi kërkuar që Kuvendi Komunal të anuloj ndërtimet në Badovc. Në vitin 2021 nuk kemi përkrahur këmbimin e pronave në Badovc dhe njëjtë veprojmë edhe tani”, tha Retkoceri.

Asamblistët e LDK-së dhe kryetari Rama lëshuan seancën  

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas fjalimeve në Kuvendin komunal bashkë me asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lëshuar seancën e jashtëzakonshme.

Këmbimi i kësaj prone ishte një prej arsyeve pse PDK-ja, partner i koalicionit me LDK-në në Prishtinë, bojkotoi tri seanca me radhë të Kuvendit Komunal nën arsyetimin se nuk po iu jepej hapësirë për kontribut në hartimin e pikave të rendit të ditës.

Anulohet vendimi për këmbimin e pronave në Badovc

Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në seancën e jashtëzakonshme me 27 vota për ka anuluar vendimin për këmbimin e pronave në Badovc.

Prezent në momentin e votimit ishin vetëm 32 asamblistë.

Kjo seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e këtij vendimi ishte thirrur me kërkesë të LVV-së dhe mbështetje të PDK-së e cila është në koalicion qeverisës me LDK-në në kryeqytet.

Prishja e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë

Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, njëherësh edhe nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili ka njoftuar se kanë prishur koalicionin qeverisës me LDK-në në Prishtinë.

Ismaili përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se i ka dorëzuar shkresën zyrtare për prishje të koalicionit, kryetarit Përparim Rama.

“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar Ismaili.

Ai ka shtuar se për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster.

“Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë”, u shpreh Ismaili.

Ismaili ka shtuar se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet.

“Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
​Dyfishohet numri i të prekurve me HIV në Kosovë, 29 raste të reja për vitin 2024

​Dyfishohet numri i të prekurve me HIV në Kosovë, 29 raste të reja për vitin 2024

Shëndetësi
Detaje nga rrahja në Ranillug ku u përfshi një zyrtar policor

Detaje nga rrahja në Ranillug ku u përfshi një zyrtar policor

Kronika e Zezë
Deputetja e LVV-së: Asociacioni nuk sjell normalizim, duhet nënshkruar marrëveshjen e Brukselit

Deputetja e LVV-së: Asociacioni nuk sjell normalizim, duhet nënshkruar marrëveshjen e Brukselit

Lajme
Rashiq: Rakiq u rrah për mashtrimet ndaj serbëve në veri

Rashiq: Rakiq u rrah për mashtrimet ndaj serbëve në veri

Lajme
Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Lajme
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori