LAJMI I FUNDIT:

‘Andrra në beze’, leximi si vijim i oralitetit të humbur

‘Andrra në beze’, leximi si vijim i oralitetit të humbur

Durim Taçi

‘Ndjeni se ekzistoni vetëm nëse dikush ju shikon e, që t’i tërhiqni atij vëmendjen, filloni e tregoni’, thotë biologu Fredrik Sjöberg në librin ‘Përse ngulmojë’. Pavarësisht zhvillimit në kohë të formave të ndryshme të ligjërimeve, bazuar të gjitha në mekanizmin simbolik të gjuhës, çështja shtrohet se si këto forma, vizatimi, shkrimi, filmi, interneti, ballafaqohen me oralitetin, të shprehurit gojor, që është zanafilla e thelbit tonë si qenie shoqërore. Dhe, kjo dilemë, vënia përballë e gojores me të shkruarin, është shfaqur herët me Sokratin, i cili ishte kategorik kundër të shkruarit, e u jepte mësim nxënësve të tij duke dialoguar, pa tekste.


Libri u imponua, gjithsesi, e tanimë problemi është zhvendosur më tutje, edhe pse në thelb është po ai: Libri apo Interneti? Le të mos japim përgjigje, mekanizmi që funksionon është gjithmonë ai, dialogu, por tanimë midis shumë formash.

Duke marrë në dorë librin e Agron Shalës ‘Andrra në beze’, ky shqetësim vjen e përthyhet tek ti, lexues, në një pyetje tjetër: ‘Po kush do të jetë padroni tani, shkrimtari apo lexuesi? Është, në fakt, një pyetje që Denis Diderot e bën që në 1773 në librin ‘Zhak fatalisti dhe padroni i tij’. Është ai çasti kur e ndjen se fuqia kalon nga ty, lexues. Tani të takon ty t’i gjesh librit të radhës një vend në raft, ta lësh bukur zbuluar, të paktën që kur të rikthehesh nga rutina e zakonshme të mund ta vësh re e ta rimarrësh në dorë. Apo ta hapësh njëherë e të shuash kureshtjen, çfarë asht ky libër?

Ti Agron Shalën e ke lexuar, thua me vete, ke një ide për të nga shkrimet e vazhdueshme, përpos faktit që e njeh fizikisht, por në këtë çast sublim kur po ushtron fuqinë tënde si lexues, ky fakt i dytë nuk paska kaq rëndësi. Shtysa mbizotëruese është se ke krijuar një ide për stilin e tij, që ndihmon qasjen tënde drejt leximit, një shtysë e fortë që të bën ta hapësh librin menjëherë. Ke rast të vërtetosh që në titujt, paragrafët e parë, se është ai që ti njeh: ligjërim me tipare të forta metonimike, fjala bëhet etiketë prapa së cilës ka shumë informacion shtesë, përqasjet dhe kalimet kohore bëhen në funksion të së tashmes, analiza vjen vetvetiu, të duket se fjalën e fundit po e thua ti si lexues.

Të përshkon një hare, ke gjetur veten, atë që ti ke dashur të gjesh dhe e mban librin hapur. Po për një lexues tjetër, që nuk ka lexuar asnjë rresht nga Shala, që nuk e njeh, si shkon puna me librin? Dinamikat mund te jenë të pafundme, por një gjë është e sigurt: leximi nis nga ajo që ti ke brenda; topin e parë e luan ti si lexues, kushdo qofsh.

Po ti njeh rastin tënd, shtysë e vetme nuk është ajo çka ke lexuar nga e për Agron Shalën, vetë titulli i librit ‘Andrra në beze’ të çon menjëherë tek një periudhë e jetës tënde kur ti vetë, tani lexues, ishe i lidhur me filmin në formën tënde. Kush nuk është i lidhur me filmin në një farë forme? Po është herët me u shty më tutje, merru me fjalën e parë të titullit ‘Andrra…’ e, aty për ty cakto kohën kur do ta lexosh këtë libër: në mëngjes sapo zgjohesh e sapo ndahesh me andrrat. Janë njëzetë mëngjese, zgjohesh dhe e ke librin majtas tek komodina, lexon plot pesëmbëdhjetë minuta mbi andrrat e radhës e pastaj fillon ditën.

Vijimi i titullit… në beze’ të çon tek andrra personale e ndërprerë në mes. Ishte viti 1991 kur ti bëje pjesë në një grup kineastësh të rinj drejtuar nga regjisori dhe esteti i njohur i kinemasë shqiptare, Kristaq Dhamo. Jo me kot të kujtohet Kristaq Dhamo, që ka studiar në Budapest, apo Piro Milkani, profesori yt i regjisë, bashkohës i  Milosh Formanit në Pragë. ‘Andrra në beze’, filmi, kishte qenë për ty një andërr që nuk u bë realitet për shumë arsye, por ja që libri që ke në dorë ta kujton, me filmin ‘Amadeus’, pikërisht të regjisorit çek Milosh Forman, bëhet ajo lidhja midis përvojës tënde personale dhe asaj që të sjell libri, ti lexon veten duke u pasuruar me fakte të reja. Libri ‘Andrra në beze’ është një filmografi e zgjedhur, aq sa të shkon mendja t’i shikosh me radhë të gjithë filmat që përmenden aty, udhëhequr nga analiza që u bën Agron Shala, ata që ke parë e ata që nuk i ke parë ende.

Në ditën e gjashtë të leximit ti has një emër: Kubrick. Kujton apartamentin tënd në Tiranë, kontrolloje teletekstin në pritje të fillimit të bombardimeve mbi Serbi, kur lexon lajmin e vdekjes së tij. Kalon një natë të trazuar. Është mbrëmja e shtatë marsit 1991, Kubrick nuk arrin të jetojë deri në ‘2001’. Kështu titullohet kryevepra e tij: ‘2001: Odiseja hapësinore’, ku gjen edhe një herë argumentin që e përshkon edhe gjithë librin e Agron Shalës ‘Andrra në beze’, raporti midis njeriut dhe teknologjisë.

Po i kthehesh edhe një herë asaj që nënvizove për stilin e Shalës, e ka brenda këtë dialog midis njeriut dhe teknologjisë, ose me mirë midis njerëzve të teknologjizuar që dialogojnë. Ke ndjesinë, teksa lexon librin ‘Andrra në beze’, se po vozit në internet, e aty gjen një rrëfim tjetër të vetë jetës tënde në botën që krijon ‘Andrra në beze’.

Pastaj, kur ke mbaruar librin belbëzon tituj, që nuk të shqiten nga mendja: Dhe vrasësi vritet nga vrasësi, Të jesh askund e të flasësh me askënd për asgjë, Tullat e shoqërisë në murin mental, Lufta pas luftës…