Zyrtare: Kerim Alajbegovic, lojtar i ri i Juventusit
Juventusi ka zyrtarizuar transferimin e talentit boshnjak Kerim Alajbegovic, i cili i bashkohet bardhezinjve me kontratë deri më 30 qershor 2031.
Klubi italian njoftoi se ka arritur marrëveshje me Bayer Leverkusen për transferimin përfundimtar të sulmuesit anësor 19-vjeçar, duke konfirmuar kështu një nga goditjet më premtuese të afatit kalimtar.
Alajbegovic, i lindur në Këln, por me kombësi boshnjake, mbërrin në Torino pas një sezoni shumë të mirë me Red Bull Salzburgun, ku zhvilloi 44 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 13 gola dhe duke dhënë katër asistime.
Në komunikatën zyrtare, Juventusi e përshkruan Alajbegovicin si një futbollist dinamik dhe shumë të gjithanshëm, i aftë të luajë në të dy krahët e sulmit falë aftësisë për të përdorur në mënyrë natyrale të dyja këmbët.
Klubi thekson se ai dallohet për kontrollin e topit në hapësira të ngushta, shpejtësinë dhe aftësinë për të krijuar epërsi numerike në situatat një kundër një.
Boshnjaku e nisi rrugëtimin e tij në akademinë e Këlnit, përpara se të kalonte te Bayer Leverkuseni, ku zhvilloi fazën më të rëndësishme të formimit si futbollist. Ai arriti të debutonte edhe me ekipin e parë, duke regjistruar paraqitje në Bundesliga dhe Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht moshës së re, Alajbegovic ka fituar tashmë një vend të rëndësishëm edhe në Kombëtaren e Bosnjë e Hercegovinës. Pas paraqitjeve me të gjitha grupmoshat, ai ka debutuar me ekipin A, ku deri tani numëron 11 ndeshje dhe dy gola, njëri prej tyre i shënuar në fazën finale të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/


