Please enter at least 3 characters.

“Zonja e Vjetër” nuk pret verën, Juventusi e do ish yllin e Barcelonës gjatë janarit

Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Juventusi ka arritur një marrëveshje paraprake për transferimin pa pagesë të Oscar Minguezas në qershor, por drejtori i klubit bardhezi, Marco Ottolini, ka qëndruar në Spanjë për të negociuar një kalim të mundshëm që në afatin e janarit me Celta Vigo.

Mbrojtësi i krahut nga Spanja pritet të bëhet lojtar i ri i Juventusit, qoftë gjatë verës, qoftë që në këtë afat kalimtar dimëror, në varësi të ecurisë së bisedimeve mes dy klubeve.

Sipas “Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport”, bardhezinjtë kanë arritur marrëveshje personale me Minguezan për një kontratë katërvjeçare me vlerë 1 milion euro në sezon, pothuajse dyfish i pagës që ai përfiton aktualisht te Celta Vigo, e cila sillet rreth 600 mijë euro në vit.

Juventusi po ushtron tani presion për ta transferuar 26-vjeçarin që në janar, duke synuar një marrëveshje me kosto të reduktuar për klubin spanjoll, në mënyrë që të shmangë pritjen deri në verë.

Bisedimet mes Juventusit dhe Celta Vigos pritet të vazhdojnë në orët në vijim, ndërsa raportet nga Italia sugjerojnë se “Zonja e Vjetër” do të duhet të paguajë një shumë që varion nga 3 deri në 5 milionë euro për ta siguruar nënshkrimin e mbrojtësit gjatë afatit dimëror.

Mingueza ka regjistruar një gol dhe tri asistime në 22 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, ndërsa në nivel ndërkombëtar ka grumbulluar katër paraqitje me përfaqësuesen e Spanjës.

Mingueza thuhet se pëlqehet edhe nga Real Madridi, por aktualisht nuk ka asgjë konkrete./Telegrafi