Please enter at least 3 characters.

Zjarr i madh përfshin një ndërtesë banimi në Prishtinë – tre persona marrin ndihmë mjekësore

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në katin e sipërm të një ndërtese banimi në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ndërkaq tre persona janë trajtuar nga ekipet mjekësore.

Nga pamjet, flakët shihen duke dalë përmes kulmit të objektit, ndërsa re të dendura tymi të zi kanë mbuluar zonën dhe janë vërejtur nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i tha Telegrafi se rreth orës 07:30, kanë pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë banimi në rrugën Isa Kastrati në Prishtinë.

“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme tre persona janë trajtuar nga ekipet mjekësore”, tha ajo.

Për arsye sigurie, policia ka bllokuar qarkullimin në afërsi të objektit dhe ka vendosur shiritat e sigurisë rreth perimetrit të zonës së prekur.

Telegrafi ju sjell fotografi dhe pamje nga vendi i ngjarjes. /Telegrafi/