Zgjedhjet më mirë të mbahen në qershor
Baraliu në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve me reformë do të ndikonte në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Duke pasur parasysh interesin qytetar, institucional në të mirë të demokracisë dhe konsolidimin e shtetit, zgjedhjet parlamentare të mbahen me reformë zgjedhore. Në rast se klasa politike nuk është e gatshme për ta përmbyllur reformën, atëherë nuk ka kohë për të pritur dhe me këtë kornizë legjislative duhet të mbahen zgjedhjet sepse shtyrja e tyre mund t’i shkelë afatet kushtetuese, gjë që është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese”, ka thënë Baraliu.
Baraliu ka vlerësuar se nëse shkohet në zgjedhje parlamentare pa reformë do ta dëmtonte imazhin e Kosovës.
“Imazhi i Kosovës do të vazhdonte të dëmtohej në rast se shkohet në zgjedhje pa reformë. Në një mënyrë ose tjetër, kjo klasë politike, për shkak të sjelljeve rigide, në një masë e ka dëmtuar imazhin e Kosovës. Edhe përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar kanë thënë se nuk është mirë që zgjedhjet të mbahen pa reformë”, ka thënë Baraliu.
Zgjedhjet të mbahen në qershor
Ish-shefi i ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë do të ishte qershori i këtij viti.
“Koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, sigurisht se do të ishte muaji qershor, për shumë arsye të cilat nuk kanë arsye të numërohen. Institucionet e Kosovës duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet, përfshirë edhe reformën zgjedhore, në mënyrë që presidentes t’i jepet mundësia t’i shpallë zgjedhjet në një afat i cili do të përkonte me kohën e mirë, pra para se të hyhet në pushime verore”, ka deklaruar Baraliu.
Ai ka thënë se liderët e partive politike mund ta gjejnë gjuhën e përbashkët që zgjedhjet të mbahen në qershor.
Vazhdimi i vendeve të rezervuara nënkupton Ahtisaari plus
Profesor Mazllum Baraliu, njohës i sistemeve zgjedhore, ka thënë se çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet as që duhet të diskutohet.
“Mendoj se çështja e vendeve të rezervuara tashmë është absorbuar. Pjesa kryesore e opozitës nuk është duke pranuar të vazhdohen vendet e rezervuara. Ata që janë në pozitë ose kanë dëshirë për këtë çështje duhet të mendojnë mirë para se t’i hynë asaj pune, sepse do ta kenë shumë të vështirë ta bëjnë ndryshimin e Kushtetutës. Pa ndryshimin e Kushtetutës nuk mund të bëhet kjo punë, sepse kjo çështje duhet të shtyhet me dy të tretat e shumicës së dyfishtë, pra shumicës së shumicës dhe shumicës së pakicës”, ka deklaruar Baraliu, duke shtuar se vazhdimi i vendeve të rezervuara nënkupton Ahtisaari plus.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se tash për tash kjo punë nuk mund të bëhet sepse e tejkalon Planin e Ahisaarit, pra do të ishte Ahtisaari plus. Askush askënd s’e ka autorizuar që definitivisht ta defunksionalizojë dhe ta ngarkojë deri në hipotekë shtetin e Kosovës”, ka thënë Baraliu. /Telegrafi/


