Please enter at least 3 characters.

Zbulohen prapaskenat: Veterani i Real Madridit shkaktoi një ‘sherr të madh’ në stërvitje

Me përfundimin zhgënjyes të sezonit të Real Madridit, pothuajse me siguri një sezon pa trofe, atmosfera në Valdebebas nuk është pozitive. Për ta përkeqësuar situatën, në media po dalin një sërë historish për tensione brenda dhomës së zhveshjes.

Të premten u bë e ditur se Dani Ceballos kishte kërkuar t’i jepte fund marrëdhënies me trajnerin Alvaro Arbeloa, pas një përplasjeje në zyrën e tij. Ai pritet të largohet nga klubi gjatë verës dhe mund të ketë luajtur tashmë ndeshjen e fundit me fanellën e Real Madridit.

Ndërkohë, Arbeloa ka pasur përplasje edhe me Raul Asencion, i cili ka luajtur shumë pak gjatë muajit të fundit, si dhe me kapitenin Dani Carvajal, që gjithashtu ka kaluar pjesën më të madhe të muajve të fundit në stol.

Megjithatë, sipas ESPN, përplasja më e zjarrtë në Valdebebas ka përfshirë mbrojtësin veteran Antonio Rudiger.

33-vjeçari raportohet se “humbi kontrollin” me një nga bashkëlojtarët gjatë stërvitjes, duke shkaktuar një skenë të nxehtë.

Kjo është konfirmuar për ESPN nga disa burime, megjithëse theksohet se nuk bëhej fjalë për një incident të rëndë dhe se lidhej më shumë me karakterin e Rudigerit sesa me ndonjë problem serioz.

Nuk është hera e parë që temperamenti i Rudigerit vihet në pikëpyetje në muajt e fundit. Reprezentuesi i Gjermanisë u akuzua se e kishte goditur me dashje me gju në kokë mbrojtësin e majtë të Getafes, Diego Rico, ndaj të cilit ai u përgjigj se po ta kishte “pasur me qëllim ta lëndonte, ai do të ishte ende i shtrirë aty”.

Ndërkohë, gjatë humbjes së Real Madridit ndaj Bayern Munichut në ndeshjen e dytë, në Ligën e Kampionëve, mbrojtësi i Bayernit, Josip Stanisic, e akuzoi Rudigerin se e kishte kaluar kufirin me komentet e tij, duke e sfiduar të tregonte publikisht se çfarë i kishte thënë.

Rudigerit i përfundon kontrata këtë verë, por gjithçka tregon se do t’i ofrohet mundësia ta rinovojë atë me Real Madridin./Telegrafi/