Please enter at least 3 characters.

Zbardhet ngjarja dramatike në Laç: Konflikti për një aksident të vogël, përfundoi me pesë të plagosur

Policia e Shtetit të Shqipërisë ka bërë të ditur detajet lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot rreth orës 13:27 në qytetin e Laçit, ku si pasojë e një konflikti të armatosur mbetën të plagosur pesë persona.

Sipas njoftimit zyrtar, përplasja nisi për shkak të një aksidenti rrugor me dëme të vogla materiale, por situata degradoi shpejt në përdorim të armëve të zjarrit.

Hetimet dhe pamjet nga kamerat e sigurisë konfirmuan se në ngjarje u përdorën dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë (përforcues grushti) dhe dy automjete, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

"Nga tërësia e veprime hetimore të kryera deri tani, rezulton se konflikti mes te rinjve ka nisur për motive te dobëta (aksident rrugor me dëme shumë te vogla materiale) dhe me pas ka vijuar mes palëve duke përdorur armët e zjarrit", ka njoftuar Policia e Shtetit.

Pas veprimeve të shpejta nga grupi hetimor dhe forcat operacionale në terren, u arrestuan në flagrancë dy persona:

D. Gj., 27 vjeç, i cili mbeti vetë i plagosur gjatë përplasjes dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën;

K. N., 28 vjeç.

Të dy të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Policia konfirmon se materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë për vijim të procedurave ligjore.

Ndërkohë, pesë personat e plagosur po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet kanë siguruar se hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes./Telegrafi/