Vuçiq vazhdon me pretendime për Kosovën: S’kemi qëllim të përdorim armë për “atë që i përket Serbisë”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-ministrit kroat të Mbrojtjes, Anto Kotromanoviç, lidhur me Kosovën, duke thënë se Serbia nuk ka shfaqur synim që “me armë të kthejë atë që i përket Serbisë” dhe se një gjë e tillë, sipas tij, nuk do të ndodhte.
Vuçiq i bëri komentet më 14 prill, gjatë shënimit të Ditës së Njësisë së Operacioneve Speciale të Policisë Ushtarake dhe vizitës në një objekt të ri për akomodim dhe stërvitje në kazermën “Vasa Çarapić” në Beograd.
Reagimi vjen pasi Kotromanoviç, duke komentuar këshillin ushtarak me Prishtinën dhe Tiranën, tha se “ai beson se Vuçiq do të kishte zbritur në Kosovë me forcat e tij dhe disa rusë, nëse Rusia do ta kishte mundur Ukrainën brenda një muaji”.
Në përgjigje, Vuçiq tha se është mirë “ta dëgjojmë publikisht” dhe e interpretoi deklaratën si pranim se pala tjetër po mbron një rend që, sipas tij, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Është mirë që ai na tha se ata janë rojet e rendit të vendosur kundër rendit të Kombeve të Bashkuara, Rezolutës 1244”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia nuk ka treguar asnjë qëllim për përdorim force, por se, sipas tij, deklarata shërben për të kuptuar qëllimet e tyre.
“Ne nuk kemi treguar asnjë qëllim për të përdorur armë për të kthyer atë që i përket Serbisë, as nuk do ta bënim, por është mirë të dimë qëllimet e tyre, se ata janë gjithashtu të gatshëm të përdorin armë për të mbrojtur sjelljen e paligjshme dhe sjelljen kundër Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq.
Ndryshe, Vuçiq shquhet për deklarimet nacionaliste për Kosovën për përdorim të brendshëm.
“Detyra jonë është të themi jo. Ne do ta mbështesim Kushtetutën dhe do ta mbajmë Kosovën brenda Serbisë. Kosova dhe Metohia janë pjesë integrale e Serbisë; kjo është shkruar në Kushtetutë dhe për ne është Shkrimi i Shenjtë”, pati deklaruar Vuçiq gjatë muajit shkurt./Telegrafi.


