Vritet kameramani i Al Jazeera në sulmet izraelite në Gaza
Sulmet e fundit izraelite në Gaza kanë vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë një kameraman të Al Jazeera dhe të paktën një fëmijë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë dhe ekipeve të shpëtimit.
Al Jazeera tha se "dënon fuqimisht krimin e urryer të shënjestrimit dhe vrasjes" së korrespondentit Ahmed Wishah, i cili u vra në një sulm ndaj një shtëpie në qendër të Gazës.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) e akuzuan Wishah-un se ishte "terrorist në krahun ushtarak të Hamasit dhe shërbeu si snajperist".
Al Jazeera tha se vdekja e Wishah të shtunën "përbën një shkelje të re dhe flagrante të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe pasqyron një politikë të vazhdueshme sistematike të shënjestrimit të gazetarëve dhe heshtjes së zërit të së vërtetës".
Sipas IDF, Wishah në muajt e fundit kishte plane të avancuara sulmi me snajper kundër trupave izraelite, por pa ofruar prova.
Vëllai i Wishah, Mohamed, i cili ishte gjithashtu korrespondent për Al Jazeera, u vra në një sulm izraelit në prill.
IDF e akuzoi atë se punonte në selinë e prodhimit të raketave dhe armëve të Hamasit, pa dhënë detaje. /Telegrafi/


