Please enter at least 3 characters.

Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se kanë nisur procedurat për shpalljen e efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, me titullin “Dëshmor i Atdheut”.

Në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës, Lamallari e cilësoi ngjarjen një humbje të rëndë për Policinë e Shtetit dhe për shtetin shqiptar, ndërsa bëri të ditur se është takuar me familjen e policit të plagosur dhe me stafin mjekësor.

“Po bëjmë gjithçka që gjendja e tij të mbetet e stabilizuar. Duhet t’u japim kohë mjekëve të kryejnë punën e tyre, me shpresën që ai të rikthehet sa më shpejt pranë familjes”, u shpreh ministri.

Lamallari theksoi se, paralelisht me procedurat për shpalljen e Mekollit “Dëshmor i Atdheut”, është urdhëruar edhe një hetim i plotë për të verifikuar respektimin e protokolleve dhe menaxhimin e situatës nga strukturat përgjegjëse.

“Kam kërkuar një vlerësim të detajuar të rrethanave, respektimit të procedurave dhe marrjen e çdo mase ligjore sipas përgjegjësive që përcakton ligji. Çdo person që do të rezultojë përgjegjës nga ky hetim do të mbajë përgjegjësi”, deklaroi ai.

Ministri shtoi se Policia e Shtetit numëron 232 efektivë të rënë në detyrë ndër vite, duke e cilësuar ngjarjen në Maliq si një tragjedi që ka prekur mbarë vendin.