Please enter at least 3 characters.

Votimi me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kutitë postare funksionale në 23 shtete

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se për të lehtësuar procesin e votimit jashtë Kosovës, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete për votuesit e regjistruar për votim me postë.

Sipas KQZ-së, kutitë postare janë të vendosura në: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Në lidhje me procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime, KQZ sqaron se "Më 14 dhjetor, KQZ ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës."

Fletëvotimet janë shtypur në Slloveni dhe kanë arritur në Kosovë më 12 dhjetor, ndërsa shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar. Çdo pako ka një numër të veçantë gjurmimi, duke u mundësuar votuesve të ndjekin vendndodhjen e saj gjatë gjithë rrugës:

"Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim."

Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025.

"Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. KQZ inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit", njofton KQZ./Telegrafi/