Vokrri: Viti 2016, viti i Kosovës
I pari i futbollit beson që ky vit do të jetë vendimtarë në pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ai foli për ngritjen e cilësisë së Superligës, befasitë e infrastrukturën.
Vokrri përgëzoi Kombëtaren shqiptare dhe uroi për lojëra të mira Përfaqësuesen e Kosovës.
Si e vlerësoni këtë vit për futbollin kosovar?
F. Vokrri: Dua të veçojë futbollin e Kosovës në dy rrafshe ashtu siç e karakterizuan edhe zhvillimin e tij. Në radhë të parë në rrafshin kombëtar sipas parametrave që organet dhe Komisionet e FFK-së kanë punuar dhe kanë prezantuar para KE si dhe në bazë të asaj që kemi parë dhe vëzhguar ne dhe mediat, mund të themi se kemi pasur një kampionat të mirë e mbase më i miri që nga paslufta, me një rregullshmëri të mirë, organizim më të mirë të klubeve dhe ndeshjeve, disiplinë të mirë dhe sjellje korrekte në kufijtë e fair-playt dhe rivalitetit sportivë të akterëve në fushën e gjelbër. Shikueshmëri të mirë jo ndoshta në masën e dëshiruar nga të gjithë por shihet një interesim më i madh dhe të gjitha këto japin një pasqyrë jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit të futbollit në Kosovë. Ndërkaq, që gjatë vitit 2015 në rrafshin ndërkombëtarë unë bashkë me antarët e KE dhe sekretarin kemi punuar drejt ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës për të arritur synimin tonë final, që është pranimi në UEFA dhe FIFA. Në këtë kuadër kemi vizituar disa herë selinë FIFA-n ku kemi pasur takime me presidentin Blatter dhe zyrtarë tjerë, e pastaj takime të ngjeshura në UEFA- dhe kemi takuar kreun e saj Michel Platini për të gjendur mënyrën më të mirë të mundshme për shmangien e pengesave ligjore për pranim në UEFA, dhe për këtë kemi punuar ngushtë me zyrën ligjore të UEFA- s dhe kemi hasur në një mirëkuptim të madh dhe si rezultat i kësaj në shpresojmë dhe besojmë se më 2016 FFK-ia do të jetë anëtare e plotë e institucioneve ndërkombëtare. Për këtë qëllim kemi vizituar shumë federata si federatën e futbollit të Kroacisë, Maqedonisë, Sllovenisë dhe së fundmi edhe të Turqisë dhe krerët e tyre nga kanë dhënë mbështetje të parezervë. Ne nuk do të ndalemi do të vazhdojmë të vizitojmë e të kontaktojmë së më shumë kryetarë e zyrtarë të federatave të ndryshme që të sigurojmë së më shumë mbështetje para kongresit të UEFA-s që do të mbahet vitin që vjen e që konsiderojmë se është vendimtar për futbollin e Kosovës.
A kishte ngritje të cilësisë në Superligë?
F. Vokrri: Ashtu si thashë edhe më lartë, të gjithë parametrat tregojnë se ka një rritje e në këtë mënyrë edhe ngritje të cilësisë. Janë shtuar ambiciet e skuadrave, të cilat janë të vetëdijshme se pranimi i futbollit të Kosovës në instancat ndërkombëtare është në prag, ndaj edhe angazhimet e tyre për të arritur rezultate janë evidente e me këtë është shtuar edhe cilësia e lojës e neve natyrisht ky fakt na gëzon.
Cila skuadër në Superligë iu ka befasuar këtë vit me paraqitje?
F. Vokrri: Për mendimin tim këtë vit janë dy skuadra që kanë bërë befasi. E para për të mirë ka befasuar skuadra e rikthyer në elitë Llapi, që dëshmoi lojëra të mira duke përfunduar vjeshtën e dyta në tabelë dhe skuadra e dytë që jo vetëm për mua por për shumëkënd janë rezultatet e dobëta të Prishtinës, e cila gjendet në fundin e tabelës.
Kosova zhvilloi disa ndeshje miqësore, si e vlerësoni paraqitjen e djelmoshave të Albert Bunjakut?
F. Vokrri: Ndonëse një përfaqësuese e re, mendoj se ndajë mendimin edhe të shumë njohësve të futbollit se paraqitje e futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës ka qenë e mirë dhe mbresëlënëse. Me këtë dua të them se Përfaqësuesja e jonë ka një të ardhme të mirë, por natyrisht se na pret neve dhe përzgjedhësin Bunjaku një punë e madhe në vazhdim.
Si e vlerësoni paraqitjen e Kombëtares shqiptare?
F. Vokrri: Unë edhe kësaj radhe përgëzojë FSHF-në dhe Kombëtaren shqiptare për suksesin historik, duke u kualifikuar për evropian duke na bërë të gjithë shqiptarëve krenarë, aq më parë që kontributi u futbollistëve kosovarë është i madh. Me këtë Kombëtarja shqiptare ka dëshmuar se mund të jetë njëra ndër skuadrat më të mira në Evropë përballë shumë kombëtareve tjera. Tash të gjithë flasin me respekt për Kombëtaren shqiptare, sepse paraqitja e saj gjatë kësaj periudhe ishte mahnitëse.
Shumë lojtarë nga Kosova kanë pasur paraqitje fantastike në kampionatin shqiptar dhe po kërkohen nëpër Evropë. A ju bën kjo krenar kur dihet gjendja e futbollit tonë dhe ne vazhdojmë të prodhojmë?
F. Vokrri: Jo vetëm unë, por besoj se të gjithë ndihemi krenarë me këtë gjë, sepse po dëshmohemi se jemi vatër e talentëve të rinj dhe e futbollistëve cilësorë.
Ka pasur hapa të mirë në ndërtimin e infrastrukturës sportive. Sa ka luajtur rol kjo në zhvillimin më të mirë të futbollit?
F. Vokrri: Infrastruktura është një segment tejet me rëndësi, për të mos thënë më i rëndësishmi për zhvillimin e futbollit, prandaj të gjithë po i kushtojmë një vëmendje dhe kujdes të shtuar. Ngadalë me ndihmën e të gjithëve besoj se infrastruktura aktuale do të përmirësohet dhe në vazhdim do të ketë edhe ndërtime të reja.
Jemi në hapat e fundit drejt pranimit, lëvizjet e fundit në FIFA dhe UEFA a do ta shtyjnë këtë proces shumë të rëndësishëm për ne?
F. Vokrri: Tashmë jemi në agjendën e institucioneve ndërkombëtare dhe unë shpresojë e besojë se Viti 2016 do të jetë sa i rëndësishëm po aq edhe historik për futbollin e Kosovës dhe lëvizjet e fundit në UEFA e FIFA nuk do të ndikojnë në çështjen tonë. Por, gjithsesi na pret një punë e madhe dhe lypset angazhimi i të gjithëve në këtë drejtim dhe frytet e këtij angazhimi do t’i korrim të gjithë së bashku.


