Vokrri kërkon më shumë fakte për kurdisjet
Ditët e fundit po flitet me të madhe për ‘sindromin’ kurdisje në futbollin e Kosovës. Javën e kaluar futbollistët e Llamkos Kosovës, Faruk Statovci e Labinot Osmani, dolën hapur duke zbuluar ekskluzivisht për gazetën tonë, tentim-kurdisjen që deshi ta bëjë Besa e Pejës.
U fol edhe për ndeshjet e Ligës së Parë, Flamurtari – Liria e Kosova e Prishtinës – Llapi. Në një intervistë për Arenën, flet për çështjet ‘kurdisje’, njeriu i parë i futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Ky i fundit ndër të tjera ka një mesazh edhe për klubin e Prishtinës, i cili ka ‘quar pluhur’ për ndeshjet në kuadër të Kupës ‘Digitalb’.
Kryetar, kohët e fundit është folur shumë për kurdisje të ndeshjeve…
Nuk e di se si po merreni me gjëra të tilla. Më ka thënë një njëri, hajde të shkruajmë në gazetë.
Konkretisht po ju pyes për ndeshjen Besa – Llamkos Kosova?
Janë pallavra. Ju lutem, mos bëni hajgare?
Lojtarët e Llamkos Kosovës, Faruk Statovci e Labinot Osmani kanë dhënë deklarata në gazetë e FFK për tentim kurdisjen…
Mirë. Pse pra nuk kanë treguar se kush i ka telefonuar. Nuk shkojnë këto gjëra kështu, më ka telefonuar dikush për ta kurdisur ndeshjen (qesh).
Sekretari Eroll Salihu ka thënë se deklaratat do t’i dorëzoni në polici. A mbeten këto fjalë?
Po normalisht se do të dorëzohen dhe me këtë çështje do të merren organet e hetuesisë.
A mendoni se një federatë tjetër, kur flitet për kaq shumë dyshime për lojë të kurdisura, do të vepronte sikur ju, për të kërkuar kaq shumë fakte?
Duhen fakte konkrete për të marrë masa.
Kryetar, përpos rastit ‘Fushë Kosova’, kurrë nuk është dënuar askush për kurdisje?
Në atë rast, i kemi pasur faktet në tavolinë dhe kemi reaguar.
Të kalojmë në një tjetër çështje, Prishtina ka thënë se ka kontratë me televizionin RTK, për ndeshjet e Kupës ‘Digitalb’, një koment i juaji?
Kjo çështje është e përcaktuar me rregullore të garave. FFK-ja ka të drejtë që një kompanie të caktuar t’ia japë të drejtat televizive. Kaq.
Tri ndeshje
Llamkos Kosova – Besa, Flamurtari – Liria dhe Kosova e Prishtinës – Llapi. Këto janë tri ndeshjet të cilat janë përfolur për kurdisje të mundshme vetëm gjatë këtij muaji.


