Vlora Konushevci, poetja e vetme nga Kosova dhe Shqipëria në 'International Writing Program'
Poetja nga Kosova, Vlora Konushevci, ka ndarë një lajm të mirë me ndjekësit në rrjete sociale, gjegjësisht në Facebook.
Ajo ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e International Writing Program (IWP) në Universitetin e Iowa-s, në një nga programet më prestigjioze për shkrimtarë, e vetmja nga Kosova e Shqipëria.
E njëjta jep disa detaje rreth këtij programi ku thekson se që nga viti 1967, IWP ka mirëpritur mbi një mijë e 600 shkrimtarë nga vende të ndryshme.
Për të po ashtu është një nder dhe privilegj i madh, marrë parasysh bagazhin dhe përkushtimin që ka prej vitesh.
Më poshtë ndiqni postimin e plotë të Konushevcit:
“Ka lajme që i mban për vete me i shiju ma gjatë, por ka edhe lajme që duhet me i nda me të tjerët.
Nga kjo fundverë e deri në fundvjeshtë do të jem pjesë e International Writing Program (IWP) në Universitetin e Iowa-s, një ndër programet më prestigjioze dhe më jetëgjata në botë për shkrimtarë.
Që nga viti 1967, IWP-ja, ka mirëpritë mbi 1,600 shkrimtarë nga më shumë se 160 vende, përfshirë laureatë të Çmimit Nobel, Pulitzer, Man Booker dhe shumë çmimeve të tjera letrare.
Për mua është nder, privilegj dhe përgjegjësi të jem pjesë e kësaj tradite”. /Telegrafi/


