Vjedhje e rëndë në Gjilan, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e personave të dyshuar
29/07/2026
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale "Vjedhje e rëndë".
Ky veprim është ndërmarrë bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në vazhdimësi ka ndërmarrë dhe është duke marrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e rastit dhe kapjen e kryerësve të veprës penale.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me personat që shihen në pamjet e publikuara, ta përcjellin atë përmes rrugëve zyrtare të komunikimit:
- Numrit emergjent 192
- Numrit pa pagesë 080019999
- Adresës elektronike info@kosovopolice.com
- Aplikacionit digjital "Lajmëro Policinë". /Telegrafi/


