Please enter at least 3 characters.

Vidhte në lokalet e veriut të Mitrovicës, identifikohet dhe arrestohet i dyshuari

Dje një person ka raportuar një rast tjetër të vjedhjes që kishte ndodhur në lokalin e tij në rrugën “Lola Ribar” në veri të Mitrovicës, më datë 03 maj.

Sipas personit që raportoi rastin, i dyshuari kishte dëmtuar derën e lokalit dhe kishin vjedhur një portofol në vlerë prej tetë euro, një telefon, 17 euro para të gatshme dhe dy pije alkoolike.

Policia e Kosovës ka njoftuar se këtë vjedhje e kishte kryer i njëjti person që tashmë është arrestuar dhe ndaj të cilit ishin raportuar edhe dy raste të mëparshme të vjedhjeve, shkruan Telegrafi.

“Në bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë, është konstatuar se këtë vjedhje e kishte kryer i njëjti person që tashmë është arrestuar dhe ndaj të cilit ishin raportuar edhe dy raste të mëparshme të vjedhjeve në rrugët ‘Kral Petri’ dhe ‘Car Lazar’”, thuhet në njoftim.

I dyshuari me iniciale M.M., 31 vjeç, ishte arrestuar më datë 04 maj në vendin e tij të punës në fshatin Zabergj të Mitrovicës së Jugut.

“Në lidhje me rastin e tretë të raportuar më 05.05.2025, pas konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, është iniciuar rasti penal ‘Vjedhje e rëndë’ dhe i dyshuari mbetet në masën e ndalimit për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejme ligjore”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/