Veturat e përdorura gjatë sulmit në Banjskë çojnë te një varg tenderësh të dyshimtë në Serbi
Duke analizuar origjinën e dy automjeteve të tipit Mercedes G-Class të përdorur në sulmin e Banjskës, BIRN zbulon një rrjet kompanish që po monopolizojnë tregun serb të infrastrukturës energjetike dhe transportit me ndihmën e miliona eurove nga fondet publike.
Në shtator të vitit 2023, ndërsa policia në Kosovë shfaqte arsenalin e fuqishëm të konfiskuar nga një grup i armatosur serb i akuzuar për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, dy vetura qëndronin në sfond.
Të dyja ishin SUV luksozë me tërheqje në katër rrota të prodhuar nga Mercedes Benz.
Në atë kohë, raportimet mediatike u fokusuan te armatimi i nivelit ushtarak – mina kundër personelit, predha mortajash, raketahedhës kundër tankeve, pushkë, municion dhe uniforma – të përdorura në atë që autoritetet në Kosovë e quajnë një përpjekje të sponsorizuar nga Serbia për të shkëputur pjesët e veriut të vendit të banuara nga serbët.
Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e armatosur. Por veturat tregojnë historinë e tyre mbi lidhjen e thellë mes shtetit serb dhe bizneseve të kontrolluara nga personi që ka pranuar organizimin e sulmit dhe bashkëpunëtorët e tij.
Një hulumtim i BIRN-it i ka gjurmuar automjetet deri te një kompani e veturave me qira me seli në Beograd, e quajtur Pent Rent, pjesë e një rrjeti biznesesh të lidhura me dy serbë të Kosovës – Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ky rrjet, që përfshin edhe një kompani të infrastrukturës elektrike në pronësi të Pent Rent, ka përfituar nga një varg kontratash me shtetin serb.
Radoiçiq ka pranuar se ka udhëhequr sulmin e shtatorit 2023 ndaj një patrulle të policisë së Kosovës në Banjska, por u arratis në Serbi, ku vazhdon të jetë i lirë.
Radoiçiq dhe Veselinoviq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2021 për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar, por kjo nuk e ka penguar rrjetin e bizneseve që ata drejtojnë të gjenerojë miliona euro të ardhura, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe transportit publik.
Mbulesa e kompanisë së qirasë së veturave
Prokurorët në Kosovë i thanë BIRN-it se të dy Mercedesët e tipit G-Class të sekuestruar në Banjskë i përkasin Pent Rent.
Ato fillimisht ishin të zeza, por më vonë u mbuluan me një shtresë mbrojtëse ngjyrë ulliri me shenjat e KFOR, forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO që hyri në Kosovë në vitin 1999.
Pent Rent u themelua në vitin 2016 dhe është e regjistruar në pronësi të 48-vjeçarit Dusko Djenadija.
Të dhënat financiare të kompanisë të dorëzuara nga Pent Rent dhe një filial tregojnë lidhje të ngushta me C&LC Group dhe anëtarët e familjes së menaxherit të CLC Group, Milorad Lovriq, vetë një bashkëpunëtor afatgjatë i Veselinoviqit.
Si Pent Rent ashtu edhe C&LC Group janë të regjistruara në të njëjtën adresë në Beograd.
Sipas një burimi që më parë kishte marrëdhënie biznesi me Lovriq, Veselinoviq dhe Radoiçiq, Pent Rent përdorej për të blerë vetura luksoze pa TVSH.
“Në praktikë, automjetet nuk përdoren për qëllime reale të qirasë, por kryesisht për nevojat private të Radoiçiqit, Veselinoviqit dhe bashkëpunëtorëve të tyre”- tha burimi për BIRN-in, duke folur në kushte anonimiteti, dhe shtoi se Djenadija në fakt punon si shofer për Lovriqin.
Duke gjurmuar numrat e shasisë, BIRN zbuloi se njëra nga veturat e sekuestruara pas sulmit në Banjskë figuron në Regjistri Publik i Garancive për Kredi në Serbi si kolateral për një kredi të regjistruar nga Pent Rent në vitin 2018.
Sipas raporteve të saj financiare, të disponueshme online në Regjistrin e Bizneseve të Serbisë, Pent Rent fiton pjesën më të madhe të të ardhurave nga kompanitë e lidhura me të, dhe jo nga dhënia me qira e veturave.
Për shembull, në vitin 2024, kompania raportoi të ardhura prej rreth 242,000 euro nga qiraja dhe shërbime të tjera, por 724,000 euro nga kompanitë e lidhura.
Marrja nën kontroll e transportit
C&LC Group e Lovriqit u themelua në vitin 2009, duke u marrë kryesisht me ndërtimtari.
Në vitin 2014, në konsorcium me dy kompani – njëra prej tyre Inkop, në pronësi të Veselinoviqit – C&LC Group fitoi një kontratë publike me vlerë 75 milionë euro për ndërtimin e një segmenti autostrade mes Lajkovacit dhe Ljigut në perëndim të Serbisë.
Në vitin 2019, Inkop i Veselinoviqit bleu një kompani të quajtur Betonjerka Aleksinac për 410,000 euro, edhe pse çmimi fillestar ishte vendosur në dy milionë euro. Çmimi i shitjes u miratua nga Betonjerka Sombor, një nga kreditorët më të mëdhenj të Betonjerka Aleksinac dhe filial i C&LC Group të Lovriqit. Betonjerka Aleksinac prodhon shtylla betoni, nënstacione transformatorësh dhe infrastrukturë tjetër për energjinë elektrike dhe telekomunikacionin.
Një vit më pas, Betonjerka Aleksinac dhe Betonjerka Sombor ishin pjesë e një konsorciumi kompanish që fitoi një kontratë prej 2.5 milionë euro nga ndërmarrja publike serbe e energjisë EPS Distribution për furnizimin me shtylla elektrike prej betoni, raportoi mediumi hulumtues serb Insajder. Konsorciumi ishte ofertuesi i vetëm.
Në mesin e vitit 2024, BIRN zbuloi se C&LC Group e Lovriqit ishte në krye të një konsorciumi që fitoi një tender prej 1.2 miliard euro për të ofruar autobusë dhe shoferë për linjat e transportit publik në kryeqytetin serb. Pjesa e vetë C&LC Group arrinte rreth 178 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare. Duke operuar rreth 80 autobusë në Beograd, kompania e Lovriqit papritur u bë operatori më i madh privat në transportin publik të kryeqytetit.
Në atë kohë, Lovriq deklaroi se kishte bashkëpunuar me Veselinoviqin në vitet 2014 dhe 2015, por se ata nuk ishin bashkëpunëtorë të afërt në biznes.
“Ai ka llogarinë e tij bankare dhe shtëpinë e tij; unë kam llogarinë time bankare dhe shtëpinë time, pra kompania ku punoj”- i tha Lovriq BIRN-it.
Faktet flasin ndryshe.
Në fakt, ekzistojnë edhe lidhje familjare.
Vetëm 22 vjeç, Predrag Lovriq është bashkëpronar i firmës së ndërtimit Meteor 017, së bashku me Vladan Milanoviqin, drejtor i Betonjerka Aleksinac të Veselinoviqit. Deri në janar të këtij viti, Meteor 017 dhe Betonjerka Aleksinac kishin gjithashtu aksione në kompaninë tregtare Metalotehna. Burime të shumta e kanë identifikuar Predragun si djalin e Milorad Lovriqit.
Ofertuesi i vetëm
Pent Rent është pronari i vetëm i kompanisë Elektroizgradnja Bajina Bašta, e cila merret me infrastrukturën dhe mirëmbajtjen e rrjetit elektrik.
Raportet financiare të dorëzuara nga Elektroizgradnja Bajina Bašta tregojnë se ajo ka financuar një rrjet të gjerë kompanish, shumë prej të cilave janë të lidhura me Lovriqin.
Në vitin 2024, për shembull, Elektroizgradnja Bajina Bašta i dha një kredi afatshkurtër pa interes prej gjashtë milionë eurosh C&LC Group të Lovriqit.
Kompania ka dhënë gjithashtu kredi afatshkurtra për disa kompani të tjera të lidhura me Lovriqin dhe individë me të njëjtin mbiemër – Beaz Plus dhe Labah (të dyja në pronësi të C&LC Group), Niel Group (në pronësi të C&LC Group deri në vitin 2023, kur pronësia kaloi te 24-vjeçarja Nina Lovriq) dhe C&LC Kameni agregati (në pronësi të një individi tjetër me emrin Predrag Lovriq, 50 vjeç).
Po atë vit, sipas raportit financiar të saj, Elektroizgradnja Bajina Bašta mori një kredi prej 1.6 milion euro nga Fondi për Zhvillim i qeverisë serbe me normë interesi prej 1.8%.
Megjithatë, marrëdhënia e saj me shtetin nuk përfundon aty.
Që nga viti 2021, Elektrodistribucija Srbije, kompania shtetërore serbe e shpërndarjes së energjisë elektrike, i ka dhënë Elektroizgradnja Bajina Bašta – qoftë në mënyrë të pavarur apo si pjesë e një konsorciumi – 36 tenderë publikë me vlerë 143 milionë euro, duke e bërë kompaninë në pronësi të Pent Rent një nga lojtarët më të mëdhenj në sektorin e infrastrukturës elektrike. Në shumë prej tenderëve, kompania ose konsorciumi ku ajo bënte pjesë ishte ofertuesi i vetëm – një sinjal alarmi për korrupsion të mundshëm.
Elektroizgradnja Bajina Bašta konkurronte vazhdimisht për këto kontrata në konsorcium me filialin e C&LC Group, Betonjerka Sombor, dhe Betonjerka Aleksinac të Inkop-it.
Lovriq, Djenadija dhe Veselinoviq nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Radoiçiq nuk mundi të kontaktohej.
Figura të fuqishme në veri të Kosovës
Për vite me radhë, Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kanë ushtruar ndikim të madh politik dhe financiar në veriun e Kosovës, ku serbët vazhdojnë t’i rezistojnë integrimit të plotë në një shtet të dominuar nga shqiptarët etnikë.
Deri në sulmin e Banjskës në vitin 2023, Radoiçiq ishte nënkryetar i Srpska Lista, partisë kryesore politike në Kosovë që përfaqëson serbët pakicë dhe, praktikisht – edhe pse jo zyrtarisht – një degë e Partisë Progresive në pushtet në Serbi.
Radoiçiq thotë se veproi në Banjskë pa i informuar autoritetet në Beograd. Më herët, prokurorët në Kosovë e identifikuan atë dhe Veselinoviqin si drejtues të një grupi kriminal të akuzuar për vrasjen me armë të politikanit të njohur serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në vitin 2018, megjithëse asnjëri nuk u akuzua zyrtarisht për vrasjen.
Muajin e kaluar, një gjykatë në Kosovë dënoi tre serbë për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës lidhur me sulmin në Banjskë. Dy prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vjet burg.
Pavarësisht pranimit publik të rolit të tij udhëheqës, Radoiçiq nuk është akuzuar në Serbi dhe as nuk është ekstraduar në Kosovë, të cilën Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk iu përgjigj kërkesave për koment lidhur me nëse dhe si po heton sulmin apo rrjetin e interesave financiare pas personave të përfshirë.
Veselinoviq dhe Radoiçiq kanë pranuar se kanë regjistruar kompani në emër të punonjësve.
Në vitin 2015, gjatë procedurave gjyqësore lidhur me mbajtjen e 32 kamionëve pas ndërprerjes së një marrëveshjeje leasingu me Hypo Alpe Adria Leasing, të dy burrat pranuan se kompanitë përmes të cilave operonin kamionët ishin regjistruar në emër të punonjësve.
Veselinoviq dhe Radoiçiq u shpallën të pafajshëm. Trupi gjykues që dha aktgjykimin lirues drejtohej nga Rastko Popoviq, atëherë gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Beogradit.
Që atëherë, Popoviq është avancuar në postin e nënkryetarit të Gjykatës së Apelit të Beogradit.
Bashkëshortja e tij është ish-ministrja e Drejtësisë, Maja Popoviq, e cila në dhjetor të vitit të kaluar u zgjodh gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese me propozim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Popoviq më parë kishte punuar në agjencinë serbe të inteligjencës BIA.
Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.


