")
Please enter at least 3 characters.

Vendimi i madh që duhet të marrë Bayern Munich

Në muajt e ardhshëm, drejtuesit e Bayern Munich do të duhet të sqarojnë situatën rreth të ardhmes së Max Eberl.

Drejtori sportiv ka kontratë të vlefshme deri në qershor 2027, por deri më tani nuk ka marrë asnjë ofertë për zgjatjen e saj.

Pas afro dy javësh e gjysmë, Eberl do të shënojë dyvjetorin e tij në krye të departamentit sportiv të klubit bavarez.

“Kam pothuajse dy vite këtu. Më janë dukur si katër muaj. Edhe 16 muajt e tjerë do të kalojnë shpejt”, u shpreh ai para fitores në Kupë ndaj Leipzig.

Deklarata e tij lë të kuptohet një ndjesi pritjeje, pasi ndodhet në një moment kyç për të diskutuar vazhdimësinë përtej vitit 2027.

Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar nga klubi.

“Nuk ka pasur ende asnjë bisedë. Jam këtu për të bërë punën time dhe po bëj gjithçka që është e mundur për ta realizuar atë”, theksoi Eberl.

Disa muaj më parë, bordi drejtues miratoi rinovimin e trajnerit të zgjedhur nga Eberl, Vincent Kompany, duke e zgjatur kontratën e tij deri në vitin 2029.

Edhe pse ky vendim u interpretua nga disa si një shenjë besimi ndaj punës së drejtorit sportiv, raportimet e Sky bëjnë të ditur se drejtuesit e klubit ende nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për zgjatjen e kontratës së Eberl.

Nëse bordi i udhëhequr nga figurat me ndikim si Uli Hoeneß dhe Karl-Heinz Rummenigge vendos të hapë negociatat, do të gjejë një Eberl të gatshëm për dialog.

“Ndoshta dikush do të vijë dhe do të dojë të flasë me mua. Atëherë do të jem i gatshëm”, përfundoi Eberl./Telegrafi/