Vdekja e punëtorit në Prishtinë, Hoti: Përgjegjësia të shkojë deri në fund, do të nisim inspektime me dronë
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas aksidentit tragjik në një kantier ndërtimi në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku humbi jetën një 26-vjeçar pasi u rrëzua një vinç.
Në një prononcim për KosovaPress, Hoti tha se Inspektorati Qendror i Punës, Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe organet e drejtësisë janë duke e hetuar rastin, ndërsa bëri thirrje që tragjedia të mos përdoret për përplasje politike mes pushtetit qendror dhe atij lokal.
“Ka qenë një rast tragjik dhe i rëndë, ndoshta më i rëndi prej që ne kemi informacione. Edhe Inspektorati Qendror i Punës, po besoj që edhe inspektorati i komunës dhe të gjitha organet e tjera të drejtësisë janë duke e shqyrtuar rastin, janë duke e hetuar rastin. Të flitet se kujt i takon përgjegjësia dhe të sulmohen palët është shumë e ulët”, deklaroi Hoti.
Ai theksoi se, sipas informacioneve preliminare që kanë institucionet, vinçi ishte në proces montimi në momentin kur ndodhi aksidenti.
“Ajo çka ne mund të dimë aktualisht në bazë të informatave preliminare që kemi marrë është se ai vinç apo ajo pajisje ka qenë në montim e sipër. Për detaje të tjera do të dalim me përfundime pasi prokuroria të japë versionin e saj dhe Inspektorati Qendror i Punës ta përfundojë raportin”, tha ai.
Ministri në detyrë shtoi se përgjegjësia duhet të zbardhet deri në fund dhe çdo person që rezulton përgjegjës duhet të përballet me ligjin.
“Përgjegjësia duhet të kërkohet dhe duhet të shkojë deri në fund. Përgjegjës duhet të jetë kushdo që është përgjegjës në këtë rast. Kompetencat janë të ndara dhe të përcaktuara qartë me ligj, ndërsa në fund vendimin e japin organet kompetente”, u shpreh Hoti.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Ministria ka marrë një vendim të ri, i cili pritet të publikohet zyrtarisht të mërkurën, e që synon modernizimin e kontrolleve në vendet e punës.
Sipas tij, duke filluar nga 1 shtatori, Inspektorati Qendror i Punës do të zhvillojë inspektime plotësisht digjitale.
“Prej 1 shtatorit Inspektorati Qendror i Punës do të bëjë vetëm inspektime digjitale. Inspektorët do të përdorin laptopë, telefona apo pajisje të tjera teknologjike dhe të gjitha të dhënat do të regjistrohen në kohë reale në sistem. Kjo rrit transparencën, kontrollin mbi punën e inspektorëve dhe efikasitetin e tyre”, tha ai.
Hoti njoftoi se, po ashtu nga 1 shtatori, në funksion të inspektimeve do të vendosen edhe dronët, të cilët do të përdoren për monitorimin e kushteve të sigurisë në vendet e punës.
Një ditë më parë, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, dy punëtorë u lënduan pasi u rrëzua një vinç në një kantier ndërtimi. Njëri prej tyre, 26 vjeç, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.


