Please enter at least 3 characters.

Vazhdon mbështetja për FBK-në

2016/01/vazhdon-mb-euml-shtetja-p-euml-r-fbk-n-euml_hd.jpg

Demirel dhe Belegu kanë biseduar për vazhdimin e përkrahjes së federatës turke dhe të FIBA Evropës për FBK-në posaçërisht pas zhvillimeve të fundit, që ndërlidhen me pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

“Kryetari Belegu ka njoftuar të parin e FIBA Evropës për zhvillimet më të reja në drejtim të ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës dhe për zhvillime te fundit në basketbollin kosovar. Kryetari Demirel nga ana e tij pohoi se tashmë të gjithë në FIBA Evropë dhe në FIBA janë të njoftuar me vendimin e IOC-së për pranimin e KOK-ut dhe janë të bindur se në dhjetor KOK do të pranohet me të drejta të plota në IOC, veprim ky që do të ndikojë direkt dhe fuqishëm edhe në raportet e FBK-së me shtëpinë botërore të basketbollit”, është thënë në njoftimin e FBK-së.

Sipas këtij njoftimi, Demirel ka konfirmuar se për Kosovën do të bisedohet edhe të premten në Munich në mbledhjen e Bordit të FIBA Evropës.

Takimin Demirel – Belegu e ka bërë edhe më të suksesshëm arritja në parim e tri marrëveshjeve shumë të rëndësishme.

“E para ka të bëjë me një ftesë për një reprezentacion të grup-moshave të reja në një turne të nivelit më të lartë ndërkombëtar në Turqi. Marrëveshja e dytë në parim ka të bëjë me organizimin e një kampi të përbashkët për basketbollistët e rinj, ku me basketbollistët kosovarë do të punonin trajnerë turq dhe amerikanë, kurse marrëveshja e tretë ka të bëjë po ashtu me përkrahje teknike, gjegjësisht me ndihmë të federatës turke për gjyqtarët kosovarë të basketbollit nëpërmjet monitorimit të punës së tyre në kampe ose klinika”, thuhet në njoftimin e FBK-së. /KP/Telegrafi/