Please enter at least 3 characters.

Ushtarët e KFOR-it kryejnë ushtrime në veri të Kosovës

Ushtarë amerikanë, letonezë, polakë, turq dhe gjermanë nga batalioni i manovrimit të Komandës Rajonale-Lindje i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryejnë ushtrime të futjes ajrore mbi veriun e Kosovës.

Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se këto ushtrime janë kryer si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës me njësi aviacioni, këto aktivitete u lejojnë patrullave të arrijnë në zona kyçe përgjatë Vijës Kufitare Administrative, duke forcuar ndërveprimin, koordinimin dhe gatishmërinë operacionale midis forcave të KFOR-it në rajon.

Tutje në njoftim thuhet se aktivitete të tilla janë thelbësore për ruajtjen e kohezionit dhe gatishmërisë së njësisë, duke siguruar njëkohësisht efektivitetin e vazhdueshëm të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit në të gjithë Kosovën.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/