Please enter at least 3 characters.

Unë e dëshiroj dështimin e projektit Kosova C

Të tillë çfarë e kanë kurdisur politikanët e korruptuar dhe të paintegritet unë e dua të dështuar projektin Kosova e Re ashtu siç e dua të dështuar Ferronikelin që na kushton 20 milionë euro në vit, ashtu siç e dua të dështuar Llamkosin dhe shumë të tjera kompani që nuk i sollën gjë Kosovës veçse varfëri

Politikanët, gazetarët dhe “analistët” që punojnë për kompanitë që duan ta marrin projektin “Kosova e Re” kërcyen si pleshtat për të akuzuar këdo që ka argumentuar për një skenar më të mirë sesa ai që ka përgatitur politika kosovare të projektit Kosova e Re. Ata than “shitni krejt” se nuk iu bëhet vonë duke qenë se vetë bënë shtëpitë dhe ngasin SUV si në Amerikë. Ju kemi thënë që largohen investuesit, ishte mantra kryesore e tyre dhe të gjithë ata që argumentuan për një skenar më pak të çmendur sesa ai i kryeministrit Thaçi dhe ish-ministrit Et’hem Çeku, i quajtën enverista, socialista, komunista, trockista, e çka jo tjetër.

Ata menduan se të gjithë njerëzit që argumentuan për një projekt tjetër, tashti që po tërhiqen kompanitë e huaja, do të frikësohen dhe do të thonë, jo unë nuk kam qenë kundër Kosova e Re. Dua ta them publikisht dhe hapur, unë jam kundër projektit Kosova e Re, të tillë çfarë e kanë përgatitur qeveritë paraprake dhe çfarë po e përmbyll qeveria aktuale. Jam kundër projektit Kosova e Re aq sa kam qenë dhe jam kundër mënyrës së privatizimit të Ferronikelit, Llamkosit, aq sa jam kundër marrëveshjes Dardafon me PTK-në të përgatitur nga qarqe që duan ta përpijnë këtë kompani.

Pse jam për dështimin e projektit Kosova e Re? Së pari sepse, sikundër Ferronikeli, ajo do jetë tërësisht e huaj dhe ne do ta importojmë rrymën në vendin tonë, të prodhuar nga qymyri ynë. Së dyti sepse ajo do të rrisë papunësinë në një vend ku gjysma e njerëzve jetojnë në varfëri. Së treti sepse asnjë nga aspektet më të rëndësishme të këtij projekti nuk janë qartësuar.

Jam kundër projektit Kosova e Re sepse do të mbyllë të gjitha kapacitetet energjetike publike. Sepse thjesht ashtu siç është përgatitur, do t’ia fal qymyrin një kompanie të huaj, ose më thjesht, ka shumë mundësi që operatori i Kosova e Re do ta blej më shtrenjtë ujin nga Gazivoda sesa qymyrin nga Qeveria e Kosovës (Gazivoda sipas Ligjit për kompanitë publike nuk është pronë e Kosovës). Jam kundër projektit Kosova e Re sepse akoma në dokumentet për këtë projekt nuk dihet, as vetë ministrja e energjisë nuk e di, kush do ta sanojë Termocentralin Kosova A, sepse akoma nuk dihet çfarë statusi pronësie do të ketë Kosova B, sepse nuk dihet kush do të paguaj dislokimin e fshatrave dhe humbjet që projekti do të shkaktojë në ekonominë familjare, gjegjësisht në bujqësi e blegtori, e cila është pjesë e rëndësishme e familjeve rurale në Kosovë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë për ata mbi 6 mijë punëtorë të KEK-ut që do dalin nga puna në vitin 2015.

Unë jam kundër projektit Kosova e Re sepse ai është propozuar shumë kohë më parë nga Serbia dhe më vonë është përgatitur nga konsulentë ndërkombëtarë të Qeverisë dhe nuk është marrë para sysh fare interesi kosovar. Jam kundër projektit Kosova e Re sepse nga ai do përfitojë kompania e huaj rreth 40 miliardë euro, dhe ndonjë milionë euro do ta fitojnë politikanët lokal që dërguan sekretarët e tyre si ministra për të përfaqësuar CEZ-in në Kosovë, siç është rasti i ish-sekretarit të Et’hem Çekut si ministër i AAK-së dhe ish-kryeministrit Bajram Rexhepit të PDK-së, të cilët të dy punojnë sot për kompaninë amerikano-çeke CEZ, e cila sipas të gjitha gjasave do të do të jetë fituese e tenderit.

Jam kundër projektit Kosova e Re sepse një qytetar i hutuar që kishte marrë pjesë në një dëgjim publik për këtë projekt, nuk e dinte nëse ish-ministri Et’hem Çeku foli në një dëgjim të organizuar në Villa Gërmia për projektin apo për kompaninë CEZ. Jam kundër projektit Kosova e Re sepse nuk i plotëson standardet evropiane. Nuk respekton Konventën e Arhusit, e cila nënkupton informimin e drejt të qytetarëve për projektet që kanë ndikim shoqëror e ambiental në jetën e tyre dhe përfshirjen e tyre në vendim-marrje.

Jam kundër projektit Kosova e Re sepse ky projekt është thjesht një projekt tipik eksploatues që do ta shndërrojë Kosovën në një kontejner energjie për Ballkanin me një kundërvlerë mizerie të taksave që do paguaj. Jam kundër projektit Kosova e Re dhe i lutem Zotit, sepse në Kosovë nuk ka ngelur kujt t’i lutesh tjetër përveç Zotit, që të dështojë.

(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)