Please enter at least 3 characters.

UBT ua mundëson 50 studentëve studimin në Morehead University

2016/04/ubt.jpg

Përmes një marrëveshjeje të arritur mes rektorit Edmond Hajriz dhe përfaqësuesve të universitetit amerikan, Morehead State University, krijohet mundësia që në periudhën pesëvjeçare, 50 studentë të UBT-së të studiojnë në këtë universitet.

Marrëveshja përfshin periudhën 2016-2021, me mundësi vazhdimi. Ajo parasheh që për çdo vit në këtë universitet amerikan të studiojnë 10 studentë.

Për studentët e UBT-së që i vazhdojnë studimet për një vit akademik ose për një semestër në Morehead University, do të ndahet një bursë prej 4000 dollarëve.

Edhe studentët e Morehead University do të kenë mundësi që një pjesë të studimeve t’i bëjnë në UBT.

Marrëveshja parasheh edhe rastet kur studentët e UBT-së duan që një cikël të studimeve ta përfundojnë në Morehead University. Atyre u jepet përparësi në regjistrim.

Pos shkëmbimit të studentëve, marrëveshja parasheh edhe zhvillim të përbashkët të shkollave verore, vizita të ndërsjella, me qëllim të zhvillimit akademik dhe profesional të stafit e të studenteve të institucioneve gjegjëse, si dhe dizajnimin e kurrikulave dhe programeve të reja të studimeve.

Duhet theksuar se UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë, i cili çdo vit pranon studentë ndërkombëtarë, të cilëve u ofron studime të plota në gjuhën angleze. /Telegrafi/