U kritikua nga të gjithë, Martinez shpjegon arsyen pse e la Ronaldon në fushë për 90 minuta
Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos pavarësisht paraqitjes zhgënjyese të sulmuesit veteran në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.
Portugalia u ndal në një barazim befasues 1-1 ndaj Kongos në Houston, ndërsa Ronaldo luajti të gjitha 90 minutat pa arritur të ketë ndikimin e zakonshëm në lojë. Kjo ka nxitur kritika nga tifozët dhe analistët, të cilët kanë vënë në pikëpyetje vendin e tij në formacionin titullar.
Vëmendja ishte e madhe ndaj kapitenit portugez, i cili u bë lojtari më i vjetër i fushës në historinë e Kupës së Botës, në moshën 41-vjeçare e 132 ditë. Megjithatë, rekordi historik nuk u shoqërua me një paraqitje të nivelit të pritur, pasi ylli i Al-Nassr mbeti kryesisht i izoluar dhe pa ndikim në sulmin portugez.
Ndërsa Lionel Messi shkëlqeu një ditë më parë me het-trik ndaj Algjerisë, Ronaldo e pati të vështirë të gjejë hapësira dhe të rrezikojë portën kundërshtare ndaj kongolezëve.
Pavarësisht se Portugalia kërkonte me ngulm golin e fitores, Martinez vendosi të mos e zëvendësojë Ronaldon. Trajneri spanjoll theksoi se prania e kapitenit në fushë mbetet një armë e rëndësishme taktike për skuadrën.
“Nuk ka kuptim ta largosh nga loja golashënuesin më të mirë në futbollin botëror në një ndeshje ku ke nevojë për gola. Në momente të tilla, përvoja e Cristiano Ronaldos brenda zonës është shumë e rëndësishme”, deklaroi Martinez.
“Aftësia e tij për të tërhequr mbrojtësit kundërshtarë është shumë e vlefshme. Mënyra se si ne mund të shfrytëzojmë hapësirat që krijohen falë tij është po ashtu e rëndësishme. Çdo lojtar ka përgjegjësitë dhe cilësitë e veta, por kur kërkon gola, ke nevojë për Cristiano Ronaldon”, shtoi ai.
Me vazhdimin e turneut, vëmendja ndaj vendimit të Martinezit për t'i besuar Ronaldos pritet të rritet edhe më shumë, sidomos përpara sfidave të ardhshme ndaj Uzbekistanit dhe Kolumbisë në Grupin K.


