Turistja çeke shpëtohet nga Policia në Himarë
Një ngjarje e rrezikshme u regjistrua sot në Himarë, ku një turiste çeke mbeti e bllokuar në një zonë të thepisur, në vendin e quajtur “Filikurë”.
Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, reaguan menjëherë pas marrjes së njoftimit se turistja, gjatë zbritjes me litar në terren shkëmbor, ishte rrëzuar dhe kishte kërkuar ndihmë.
Forcat e policisë organizuan punën dhe arritën të lokalizojnë turisten, duke e zbritur në mënyrë të sigurt nga shkëmbinjtë. Më pas, ajo u transportua me mjet lundrues të Policisë Kufitare drejt portit të Himarës dhe u dërgua në qendrën shëndetësore për kontroll mjekësor. Fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shtetit u bën apel vizitorëve dhe pushuesve që, gjatë eksplorimeve në terrene të vështira, të tregojnë kujdes maksimal dhe të marrin masa për sigurinë e tyre./Telegrafi/


