Please enter at least 3 characters.

Trump propozon ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në “Liqeni i Amerikës”, ndërsa përshkallëzohen tensionet me Kanadanë

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar të enjten një urdhër ekzekutiv për ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në “Liqeni i Amerikës” (Lake America) në territorin e Shteteve të Bashkuara, në një tjetër lëvizje që vjen në mes të tensioneve në rritje mes Washingtonit dhe Otavës.

Urdhri i kërkon agjencisë amerikane përgjegjëse për emërtimet gjeografike që të përditësojë emrin e liqenit. Megjithatë, vendimi ka fuqi vetëm në SHBA dhe Trump nuk mund ta detyrojë Kanadanë ta përdorë emërtimin e ri.

Vendimi ngjason me një tjetër ndryshim simbolik të emrit të ndërmarrë nga Trump vitin e kaluar, kur ai urdhëroi që Gjiri i Meksikës të quhej “Gjiri i Amerikës” në dokumentet dhe përdorimin zyrtar amerikan.

Trump e firmosi urdhrin në Zyrën Ovale, ndërsa pas tij ishte vendosur një hartë e Liqeneve të Mëdha, ku Liqeni Ontario shfaqej me emërtimin “Lake America”.

Duke folur për gazetarët, Trump kritikoi ashpër Kanadanë dhe e cilësoi atë si “vendin më të keq” për të bërë marrëveshje tregtare.

“Ata mendojnë se u takon gjithçka dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë”, deklaroi presidenti amerikan, transmeton Telegrafi.

Lëvizja vjen në një periudhë kur marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve aleate janë përkeqësuar ndjeshëm. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tarifa prej 50 për qind ndaj rreth 20 miliardë dollarëve mallra kanadeze, pas dështimit të negociatave mes Washingtonit dhe Otavës.

Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka shtuar presionin ndaj Kanadasë, duke kërcënuar me tarifa të reja dhe duke përsëritur idenë e tij kontroverse që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.

Ndërsa emërtimi i ri mund të përdoret nga institucionet amerikane, në Kanada dhe në përdorimin ndërkombëtar liqeni pritet të vazhdojë të njihet si Liqeni Ontario, duke e kthyer edhe këtë çështje në një tjetër simbol të përplasjes politike dhe tregtare mes dy vendeve. /Telegrafi/