Trump: Irani dëshiron marrëveshje, por jo atë që unë e dua
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje, por nuk ofroi asnjë detaj lidhur me përmbajtjen e saj.
Ai theksoi se, sipas vlerësimit të tij, oferta e mundshme nuk është diçka që ai do ta pranojë.
Lideri amerikan shprehu shqetësimin se mediat kryesore shpesh nuk pasqyrojnë arritjet e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
“Mediat e lajmeve të rreme e urrejnë të raportojnë se sa mirë ka vepruar Ushtria amerikane kundër Iranit, i cili është plotësisht i mundur dhe dëshiron një marrëveshje – por jo një marrëveshje që unë do ta pranoja”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke nënvizuar që ai do të refuzojë çdo marrëveshje që nuk përputhet me vizionin e tij për sigurinë kombëtare.
Trump nënkupton se ai kërkon një marrëveshje që të favorizojë fuqinë dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, duke shmangur çdo kompromis që mund të shihet si dobësim.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar edhe sot të bombardojnë objektiva brenda Iranit. /Telegrafi/


